BallinaKryesoreZëri i Amerikës: Arsyet se pse PD kërkon rivotim në 9 qarqe

Zëri i Amerikës: Arsyet se pse PD kërkon rivotim në 9 qarqe

spot_img
spot_img

Nga Zëri i Amerikës

Partia Demokratike e opozitës i kërkoi sot KQZ-së që rezultati i zgjedhjeve të përgjithshme të 25 prillit të shpallet i pavlefshëm në 9 qarqe të vendit dhe të përsëriten votimet në këto zona

Partia më e madhe opozitare kërkoi rivotim në Shkodër, Durrës, Tiranë, Elbasan, Fier, Berat, Gjirokastër, Korçë dhe Vlorë, sepse, sipas saj, procesi zgjedhor më 25 prill nuk ishte i drejtë dhe vullneti i zgjedhësve u deformua.

Bashkë me kërkesat, Partia Demokratike e opozitës dorëzoi sot në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve një seri dosjesh me ankesa për zgjedhjet e përgjithshme të 25 prillit.

Përfaqësuesit e partisë më të madhe opozitare pohuan se fashikuj të tërë me fakte provojnë atë që opozita e quan “një masakër elektorale” e projektuar dhe zbatuar nga kryeministri Rama, nga Partia Socialiste dhe administrata e saj në pushtet, një regjim, që kontrolon gjithë sistemin shtetëror.

“Depozituam qindra prova dhe fakte, që provojnë tjetërsimin e vullnetit të qytetarëve shqiptarë, deri tek përdorimi i të dhënave nga sistemi i patronazhistëve të partisë – shtet. Provat shkojnë nga angazhimi i shtetit dhe administratës në shërbim të PS-së, tek tenderat, punësimet, legalizimet dhe pagesat e paligjshme për të blerë vota. Nga kandidimi i përfaqësuesve të krimit të organizuar tek përdorimi i bandave për të blerë vota dhe kërcënuar qytetarët nën mbrojtjen dhe mosveprimin e policisë dhe prokurorisë” – pohuan juristët e Partisë Demokratike.

Ata cilësuan si antikushtetuese ndryshimet e Kodit Zgjedhor, si dhe theksuan që ndryshimet me urdhër politik të fletës së votimit sollën zhvleftësimin e 83 mijë votave baraz me afro 8 mandate deputetësh.

Partia Demokratike tha se qeveria pamundësoi votat e emigrantëve shqiptarë në tërësi dhe deri tek karantina 3 ditore për të penguar në kufi emigrantët të vinin në atdhe fizikisht për të votuar.

Po sot edhe LSI ankimoi procesin zgjedhor të Beratit dhe kërkoi përsëritjen e zgjedhjeve në atë qark. Më herët LSI kërkoi mosnjohjen e zgjedhjeve në zonën e Gjirokastrës.

Partia Socialiste i ka hedhur poshtë këto akuza si përpjekje të opozitës për të justifikuar humbjen.

Përfaqësues të Partisë Socialiste pohuan se partia e tyre e fitoi një mandat të tretë falë reformave në sistemin gjyqësor, dhe menaxhimit të krizave që sollën tërmeti i 2019 dhe pandemia 2020 e në vazhdim.

Të nesërmen e zgjedhjeve të 25 prillit, vëzhguesit ndërkombëtarë të zgjedhjeve deklaruan në raportin paraprak se partia në pushtet përdori burimet qeveritare në fushatë dhe mori avantazh nga kjo bazë.

Vëzhguesit thanë se morën shumë pretendime për shitblerje votash. Ata dënuan tensionimet dhe vrasjen e një personi dhe plagosjen e disa të tjerëve disa ditë para votimit.

Vëzhguesit pohuan se shitblerja e votës vazhdon të mbetet shqetësim kryesor në Shqipëri, se ministrat vazhduan fushatën me burime shtetërore, dënuan ashpër vrasjen e një personi dhe plagosjet në Elbasan.

Publikimi i të dhënave personale të kryeqytetit gjatë fushatës është një shkelje, që duhet hetuar, pohuan ata.

Nëpunësit e administratës, sipas tyre, patën presione dhe stimuj për të mbajtur anën e qeverisë, por pavarësisht problemeve, procesi zgjedhor rezultoi të ishte i suksesshëm në përgjithësi.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular