Personi në foto është Jorgo (Leonard) Kumaraku, i cili përfundoi në prangat e Policisë së Sarandës pas tentativës për vjedhje me dhunë të një punonjëse agjencie sigurimesh, pranë një bankomati.
Kumaraku ka tentuar që t’i marrë paratë një 34-vjeçareje, ndërsa kjo e fundit po tërhiqte të hollat në bankomat
44-vjeçari me banim në fshatin Livadhja të Sarandës është një emër i njohur për drejtësinë, pasi ka precedentë të shumëfishtë penalë.
Konkretisht, në vitin 2007 ka grabitur dhe ka kërcënuar me armë lodër punonjësen e kazino “Perla” në Sarandë, ngjarje për të cilën u dënua me 5 vjet burg.
Në vitin 2008 iu gjet një celular në qeli, për të cilin dha një deklaratë të rreme ku pretendonte se e kishte futur në qeli një polic i paraburgimit në Sarandë, raporton Panorama. Efektivi u arrestua, por më pas u la i lirë pasi u zbulua gënjeshtra e Kumarakut, që u dënua me 6 muaj burg.
Në shtator 2013 përmes një pistolete lodër dhunoi dhe grabiti punonjësen e kazino “Admiral” në Sarandë. Një ditë pas ngjarjes së Sarandës, ai dhunoi dhe grabiti me pistoletë lodër punonjësen e një kazinoje tek Ura e Lumit në Gjirokastër.
Kumaraku është përdorues narkotikësh dhe është dënuar për “trafik narkotikësh” në Greqi.