Një ngjarje e rëndë është regjistruar pasditen e kësaj të diele në fshatin Shqitas të Maliqit, ku një fermeri i ka shpërthyer granata ndërsa ishte duke punuar tokën dhe për pasojë është plagosur.
Korrespondentja e “Panoramës” konfirmon se i plagosuri është një 39-vjeçar i identifikuar si Hergert Spahiu.
Ai ishte duke punuar tokën me frezë, teksa ra në kontakt me mjetin shpërthyes. I plagosuri është transportuar drejt spitalit, ku raportohet se ka marrë dëmtime në dorë, dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Informacion paraprak
Më datë 16.05.2021, rreth orës 16:10, në Spitalin e Korçës, ka shkuar për ndihmë mjekësore shtetasi H. S., rreth 39 vjeç, banues në fshatin Shqitas, Maliq, i cili duke punuar tokën e tij me një mjet bujqësor tip frezë, ka rënë në kontakt me një mjet shpërthyes (dyshohet granatë e vjetër) ku për pasojë ky shtetas ka marrë dëmtime në dorë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Grupi hetimor po punon për të sqaruar rrethanat e ngjarjes