Dy shtetas shqiptarë janë arrestuar për trafik droge në Itali, pasi iu sekuestruan 5.5 kg kokainë.
Në pranga ranë shtetasit V.X., 24-vjeç dhe M.D., 27-vjeç, në lokalitetin verones Lazise, buzë liqenit të Gardës.
Arrestimi i tyre erdhi pasi të dy shtetasit shqiptarë u kapën në flagrancë me më tepër se pesë kile e gjysmë kokainë, të ndarë në disa pako, me peshë dhe madhësi të ndryshme.
Mbi dy të arrestuarit rëndojnë edhe akuzat e rezistencës dhe lëndimit të autoriteteve.
Mësohet se pas sinjalizimit të marrë, autoritetet italiane në vendngjarje vurë re një Peugeot 308, e drejtuar nga një person që po i afrohej një personi tjetër në këmbë, për ta marrë në makinë.
Agjentët tentuan të identifikonin dy personat, por ata vunë re praninë e policëve dhe u larguan menjëherë në fshatrat përreth.
Nga aty, policia italiane nisi ndjekjen e tyre, e cila u mbyll me izolimin dhe më pas arrestimin e tyre.
Mësohet se gjatë kontrollit, policët sekuestruan tre smartphone dhe rreth 700 euro.
Në makinë, pranë baterisë, u gjet një çantë e verdhë me dy “bukë” me peshë 1229 e 1085 gramë, që rezultoi të ishte kokainë.
Kontrolli vazhdoi në apartamentin e tyre, ku u gjetën disa peshore elektronike për peshat e mëdha dhe të tjera për pesha të vogla.
Pas transferimit të makinës në Kuesturë, policët bënë një kontroll tjetër më të imtë të makinës, duke zbuluar dy pako të tjera kokaine, me peshë 610 e 184 gramë, të fshehura në një hapësirë të dyfishtë nën tunelin qendror të makinës.
Dy shqiptarët janë tashmë në burgun e Trentos, pas vendosjes së masës së arrestit me burg.