Gjykata e Lezhës ka lënë në burg 5 personat, të cilët akuzohen se kanë përdhunuar në grup 15-vjecaren në Mirditë.
Artan Kaçorri 31 vjec, Albert Molla 27 vjeç, Ermal Tarazhi 30 vjeç, Nike Lleshi 44 vjeç dhe A.Gj., shtetasi 17 vjeç, akuzohen për marrëdhënie intime me dhunë.
NGJARJA
Autorët e dyshuar dhe e mitura janë nga fshati Tarazh i Mirditës dhe banesat i kanë në një distancë të afërt me njëratjetrën, ndërsa personi i parë që ka abuzuar me 15-vjeçaren është 32-vjeçari Artan Kaçorri. Ky i fundit kishte pasur lidhje me vajzën dhe në muajin mars i kishte blerë edhe një telefon për të komunikuar me të. 32-vjeçari, i cili është i martuar, kishte arritur që të mashtronte të miturën e ta merrte në makinë.
Më pas ka abuzuar seksualisht me të, duke i bërë dhe video e foto intime, të cilat më pas ua ka shpërndarë edhe 4 personave të tjerë, mes të cilëve dhe nipit të tij, 17-vjeçarit me iniciale A.Gj. Përmes videove dhe fotove, 5 personat kanë arritur ta shantazhojnë të miturën dhe ta detyrojnë që të kryejë marrëdhënie seksuale me ta në mënyrë të përsëritur. Pas disa kohësh, shqetësimin e vajzës kishin arritur ta kuptojnë edhe familjarët e saj, ndërsa përballë kërcënimeve të vazhdueshme edhe e mitura më në fund kishte vendosur të rrëfejë atë çfarë i kishte ndodhur.
PROVAT
Së bashku me familjarët i është drejtuar Komisariatit të Policisë Mirditë, duke bërë denoncim. Si provë ajo ka paraqitur telefonin e mesazhet dhe videot e fotot shantazhuese, të cilat ia kishin dërguar 5 personat, tashmë të arrestuar. Referuar mesazheve ata e kanë detyruar që përmes videove shantazhuese, të kryente marrëdhënie seksuale me ta. Ndërkohë, e mitura 15-vjeçare mësohet se ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike dhe po mbahet nën kujdesin e Shërbimit Social të Bashkisë Mirditë, të cilët i kanë ardhur menjëherë në ndihmë.