Një 25-vjeçar me emrin Ilir Daka është zhdukur në rrethana të mistershme. Ka qenë vëllai i tij ai i cili ka denoncuar rastin. Vëllai i 25-vjeçarit ka thënë se i riu është parë për herë të fundit tek sheshi “Wilson” në Tiranë.
Më konkretisht, Seli Daka ka thënë: “Tek sheshi Wilson më 17 Maj, pasi është larguar nga puna, rreth orës 19:00 na tha që do të takonte të dashurën. E dashura nuk di asgjë, se ka takuar atë ditë, e ka pritur deri në 22:00, por nuk ka mbërritur. Para disa ditësh ka pasur një konflikt me disa persona për të cilin ne nuk i dimë shkaqet dhe rrethanat, pasi nuk na ka treguar. Ka punuar më parë përkthyes në Gjermani”.
Mësohet se 25-vjeçari bashkëjetonte me të dashurën, ndërsa kjo e fundit e priste çdo ditë pranë sheshit “Wilson”, ku Iliri punonte në një Call Center dhe më pas shkonin bashkë në shtëpi. Por, më 17 maj nuk ka ndodhur e njëjta gjë. Ndërkohë, familjarët kanë bërë denoncim në Komisariatin Nr. 4 në kryeqytet për humbjen e kontaktit me 25-vjeçarit.