Flet Zak Topuzi, Shoqata Shqiptare e Turizmit
Greqia, e cila po e sheh hapjen si shpëtimin e vetëm, ka 300 milionë euro në dispozicion si grante për sektorin e turizmit në fillim të sezonit. Mali i Zi dhe Maqedonia, nga ana tjetër, kanë mbajtur të pandryshuar politikën e subvencionimit dhe mbështetjes së operatorëve.
Zak Topuz, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, vlerëson se në këto kushte, vendi ynë është në pozita të pabarabarta konkurrence, pasi mbështetja për sektorin nga qeveria ka qenë minimale. Ai vlerëson se një hapje e Greqisë mund të ndryshojë panoramën e turizmit në vendin tonë, ku ai që cilësohet si turist elitar mund të zgjedhë vendin fqinj.
Si e shihni ju këtë vit sektorin e turizmit, duke pasur parasysh që kanë filluar të vijnë charter-at e parë me turisë të organizuar nga Ukraina, Bjellorusia. A ka një pritshmëri pozitive për të tjera grupe si bjellorusë, rusë, çekë dhe polakë?
Pavarësisht optimizmit që ka përfshirë Europën, hapja nuk do të jetë e lehtë edhe këtë sezon. Po tentohet për të hapur thuajse të gjithë BE-në, por ka probleme. Vaksinimi ka qenë i ngadaltë ndërkohë që ka pasur edhe skeptikë të cilët nuk kanë dashur t’i bëjnë për shkak të efekteve. Në momentet që flasim nuk është vaksinuar as 25 për qind e popullsisë. Pa një vaksinim të përgjithshëm, vështirë se do të ketë një sezon me lëvizje normale.
Tek ne, vërtet që charteri i parë me turistë nga Bjellorusia është ulur, por mendoj se ishte një reklamë për zgjedhje. Situata paraqitet më ndryshe. Pavarësisht rezervimeve, ato janë të gjitha “free cancelation” (anulime të lira), pra motorët kryesorë të rezervimit për arsye pasigurie, aplikojnë rezervime pa detyrime dhe mundësojnë anulime ditën e fundit (24 orë përpara).
Për Shqipërinë, Ukraina dhe Bjellorusia kanë dhënë shenjat e para. Rusia pritet të vijë në qershor, por kjo varet nga një vendim politik i qeverisë ruse. Serbia dhe Mali i Zi kanë dhënë shenjat për një interesim për bregdetin tonë. Polakët pritet të vijnë nga mesi i qershorit. Turisti nga BE-ja dhe Gjermania besoj se do të vijë nga shtatori. Turizmi i këtij viti do të jetë thuajse si i vjetshmi, duke përfshirë zonën shqipfolëse dhe Ballkanin. Këto janë shenjat e para.
Pati një lloj nisme për të vaksinuar punonjësit e sektorit të turizmit nga qeveria. Ju si mendoni se e ndikon kjo pjesë sektorin?
Është një proces i rëndësishëm për tregun. Thuajse e gjithë Europa po tenton të vaksinojë grupet që janë të lidhura me turizmin, si dhe ishujt që janë të rëndësishëm për turizëm dhe destinacione të përcaktuara. Pavarësisht se është pozitive, mendoj se jemi vonë.
Të mos harrojmë që vaksina si Astra Zeneca kërkojnë që dozën e dytë ta marrësh pas një muaji. Pastaj duan dy javë për të siguruar qëndrueshmërinë. Me këto afate, shkojmë në mes të korrikut për ta përfunduar si proces. Ka filluar vaksinimi i njësive akomoduese dhe operatorëve në zonën e bregdetit, por nuk jemi në fazën finale që të themi se vaksinimi ka ecur.
Shpresojmë që vaksinimi të krijojë një bindje, kryesisht për turistët e moshës së tretë që janë më skeptikë dhe më të goditurit nga pandemia. Nga ana tjetër, le të shpresojmë që ky sezon të fillojë në muajin qershor deri në shtator, që të jetë sërish me të njëjtët tregues si turizmi i vitit 2020.
Pandemia ka ndikuar në shfaqjen e disa tendencave në sektorin e turizmit të lidhura me shpenzimet, destinacionet që frekuentohen, për grupimet me të cilat udhëtohet, pra individual apo në grup? Ju çfarë vini re?
Përgjithësisht është e njëjta tendencë. Lëvizje me pak ditë, lëvizje me mjetet e tyre, plazh, mal, det të gjitha llojet e turizmit dhe kryesisht në zonat afër. Para vitit 2020, nisi me një tendencë që lidhej me turizmin low-cost (kosto të ulët) ku disa nga qytetet e rëndësishme të Europës i shpallën luftë turizmit të lirë. Të tilla ishin Barcelona, Dubrovniku, Vjena të cilat tentuan të heqin linjat “low cost” (me kosto të ulët) dhe të merrnin turistë më cilësorë. Sipas tyre, zgjerimi i turizmit po sjell dëmtimin e këtyre zonave dhe probleme me banorët e përhershëm.
Në vazhdën e kësaj, ekspertët kanë dhënë sinjalin se njerëzit po kërkojnë një turizëm më në hapësirë, me distanca të kufizuara për lëvizjet e mjeteve, të jenë më shumë pranë gjelbërimit dhe kjo do të jetë tendenca e turizmit në vitet që vjen. Për të bërë një përmbledhje, ne presim që lëvizja edhe këtë vit të jetë në Ballkan, pasi gjithë shtetet e Europës po tentojnë me çdo lloj mënyre të mbajnë brenda territorit popullsinë e tyre, në mënyrë që të shpenzohet sa më shumë valutë brenda vendit.
Ju si e shihni Shqipërinë në garën me konkurrentët rajonalë, por edhe me Turqinë, që ka qenë një destinacion që frekuentohet nga pjesa mbarëshqiptare. Si jemi ne në raport me konkurrentët si Mali i Zi, Greqia, që ende mbetet e paqartë nëse do të hapet apo jo?
Po të shohim situatën e tanishme, tre janë konkurrentët kryesorë në Europë, të cilët po tentojnë dhe kërkojnë me këmbëngulje një hapje të menjëhershme. Ato janë Greqia, Spanja dhe Italia që nuk po marrin parasysh respektimin edhe të një prej propozimeve të diktuara gjatë në BE, për krijimin e një certifikate apo të një pasaporte vaksinimi. Greqia është konkurrenti ynë kryesor që po tenton të hapet tani. Java kur hapet Greqia do të jetë më e rëndësishmja për të parë se çfarë do të ndodhë me turizmin tek ne këtë vit.
Në rast se Greqia do të mbajë premtimet, që hapja të jetë pa kushte edhe për vende të tjera të Ballkanit Perëndimor, Rusinë dhe Kinën dhe jo vetëm për ata që kanë pasaportë vaksinimi, do të ketë një konkurrencë shumë të madhe. Greqia ka dhënë gjithashtu sinjale për hapje me Serbinë që është një kontingjent shumë i rëndësishëm për situatën e tanishme.
Për Shqipërinë, nëse do të hapet kufiri me Greqinë, do të jetë një humbje, pasi ne shpresojmë që kontingjenti kryesor i turizmit të jenë Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi me pjesën shqipfolëse. Hapja e kufirit me Greqinë do të thotë që pjesa e rëndësishme e turizmit elitar do të kalojë aty dhe do të përdorë Greqinë si trampolinë. Kjo do të ketë ndikim shumë të madh. Flasim për një Shqipëri që mesatarisht siguron, sipas një studimi të fundit, gati 390 USD për turist, ndërkohë që Kosova ka dyfishin e të ardhurave për turist.
Ka një turist me potencial, pasi ka diasporën e cila paguan dhe shpenzon 2.5 herë më shumë për turist. Për të thënë të vërtetën, Greqia është në një moment krize të jashtëzakonshme. Ka pasur vetëm 23 për qind të numrit të turistëve të vitit 2019, vitin e shkuar, që do të thotë se i mungojnë 26 milionë turistë një vendi me 11 milionë banorë.
Është një luftë shumë e madhe për mbijetesë. Greqia ka përgatitur një plan për të dhënë një fond për turizmin gati 300 milionë euro të cilat do të jenë grante për të nisur sezonin turistik. Jemi në një situatë të pabarabartë, ku rajoni po mendon gjerësisht. Edhe Maqedonia dhe Mali i Zi vazhdojnë të subvencionojnë turizmin dhe punonjësit e tij. Mendoj se situata e turizmit tonë do të varet shumë nga ngjarjet që do të ndodhin në dy javët e fundit.
Meqë jemi te mbështetja që po jep rajoni për sektorin. Sa është mbështetur sektori i turizmit nga qeveria?
Shqipëria thuajse nuk e ka ndihmuar fare industrinë e turizmit, me përjashtim të 4 milionë USD që dha në fazën e parë. Të gjitha premtimet e tjera kanë qenë minimale. Edhe kërkesa kryesore, ulja e taksës së ndërtesës, nuk u realizua as nga Bashkia e Tiranës.
Edhe pse pati ulje me 30 për qind, për shkak të pamundësisë për ta paguar u vendosën gjoba, çka bëri që taksa të shkonte në të njëjtin nivel. Rajoni ka bërë lëvizje të jashtëzakonshme. Ka ulur TVSH në gjithë shërbimet e hotelerisë, por edhe në bare dhe restorante. Maqedonia e Veriut e ka bërë 7 për qind; Mali i Zi, 7 për qind; Kosova 8 për qind.
Shqipëria ka mbetur në treguesit e saj të vjetër. Pra TVSH për bare dhe restorante është 20 për qind. Turqia e çoi në 1 për qind TVSH e hoteleve për të shpëtuar nga falimenti këtë industri të rëndësishme. Jemi në konkurrencë të hapur me rajonin që për të thënë të vërtetën, ka mundur të japë një ndihmë të madhe për këtë industri.
Shqipëria, thjesht vetëm se ka mbajtur hapur baret dhe restorantet dhe nuk ka pasur mbyllje të kufijve, me përjashtim të disa momenteve të caktuara, ia ka dalë që të mundësojë mbijetesë në kushte minimale të një pjese të vogël të industrisë. Pjesa më e madhe e sektorit akomodues përbëhet nga hotele dhe apartamente të vogla, që menaxhohen në mënyrë individuale nga familjarë dhe kjo në njëfarë mënyre e ka shpëtuar këtë industri nga falimenti total. Monitor