Komisioni i Ankesave dhe Sanksioneve është mbledhur sot në orën 10:00 ku do të shqyrtojë kërkesat ankimore të Partisë Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për integrim për qarkun e Durrësit.
Aleanca PD-AN ka kërkuar rivotim në të gjithë qarkun e Durrësit, duke shpallur të pavlefshme zgjedhjet e 25 prillit. Ndërkohë që LSI nga ana tjetër ka kërkuar rinumërim të të gjitha votave.
Kujtojmë se KAS më herët ka shqyrtuar ankimimet për qarkun e Gjirokastrës, Beratit dhe Vlorës.
Avokati i PD Marash Logu foli me emra, duke thënë se kush janë personat që kanë bërë shit-blerje votash në qarkun e Durrësit.
“Zoti Ardian Çela ka qenë nën akuzë si nënkryetar i Durrësit. Drejtuesi faktik i Durrësit ishte Vangjush Dako, anëtar i Kryesisë së PS-së, i lidhur me bandat e kriminelët. Kujtojmë se gjykata liroi Lulzim Berishën, pasi Dako kishte dhënë garanci për punësimin e tij në bashki. Po ashtu, Dako del në përgjime edhe në gazetën Bild, rezulton se ai telefonon anëtar të klanit kriminal Avdylaj . Jurgis Çyrbja ka dalë i përfshirë në veprimtari kriminale, Ilir Ndraxhi doli në përgjimet e Bild si njeri me të cilin flisnin kriminelët e Abdylajt. Rrahman Rraja njihet se familjarët e tij janë përfshirë në vepra të rënda kriminale. PD ka bërë 50 kallëzime në SPAK për abuzime. Kemi denoncuar disa persona, si të përfshirë në skemë kriminale në shit-blerje të votës në Durrës, Shijak dhe rrethina. Ne kemi denoncuar me emra se kush janë ata që janë përfshirë në skemën kriminale të shit-blerjes së votës.
Në Krujë, ishte aktiv në blerje votash Artur Bushi dhe Xhelal Rraja. Në Durrës, Ardian Çela ka shpërndarë para tek individë. Edhe Plator Mehmeti, ka blerë vota. Në Shijak, Altin Hajri, ishte aktivizuar në shit-blerje votash, edhe pse në kërkim për vepra të rënda penale, shoqëruar nga Jurgis Çyrbja. Edhe Durim Keçi është aktivizuar në shit-blerje votash, person me precedent kriminal, dënuar në Itali me disa vjet burg”, deklaroi Logu.
DISKUTIMET
Braho: Kush është qëllimi që doni të bëni kryqëzimin nëse kanë votuar apo jo
Logu: Kjo listë provon një nga pretendimet kryesore që blerja e votës ka diktuar rezultatin e zgjedhjeve.
Braho: E dispononi këtë listën?
Logu: Është pjesë e provave që PD ka depozituar së bashku me kërkesën ankimore. Ka edhe një listë me emra dhe mbiemra si dhe të dhëna të tjera, si dhe shuma nga 100 deri në 300 euro që ata kanë marrë në këmbim të votës.
Braho: Nga administrata të kërkojmë listën e përfshirë në administratën zgjedhore në qarku Durrës. Të jepet lista dhe kryqëzimi nëse këta 300 persona janë pjesë e administratës zgjedhore. Nëse kanë votuar ose jo këtë duhet të na i shpjegojë administrata zgjedhore.
Logu: Po të verifikohet lista e zgjedhësve del ku e ka qendrën e votimit X apo Y person. Pastaj lista e zgjedhësve mund të kryqëzohet nëse personi ka votuar apo jo. Është një veprim që mund të marrë kohë, por është plotësisht i mundur.