Presidenca i ka kthyer përgjigje Kuvendit në lidhje me letrën-thirrje për presidentin Ilir Meta, me qëllim paraqitjen e tij në Komisionin Hetimor.
Në letrën e bërë publike dhe të nënshkruar nga drejtori i kabinetit, Edmond Panariti, thuhet se Komisioni e humbi mundësinë të dëgjojë Ilir Metën.
Përgjigja e Presidencës për Kuvendin:
Republika e Shqipërisë
Institucioni i Presidentit të Republikës
Kabineti
Nr. 1714 prot.
Tiranë, më 24.05.2021
Lënda: Mbi shkresën me nr. prot. 1081/36, datë 21.5.2021, të Kuvendit të Shqipërisë.
SEKRETARIT TË PËRGJITHSHËM TË KUVENDIT
Z. GENCI GJONÇAJ
Të nderuar,
Pranë Institucionit të Presidentit të Republikës është administruar shkresa nr. 1081/36 prot., datë 21.5.2021, e Kuvendit, me anë të së cilës përcillet shkresa nr. 1081/36 prot., datë 21.5.2021 e nënshkruar nga deputeti Alket Hyseni, cilësuar nën atributet e Kryetarit të Komisionit Hetimor me emërtimin ‘Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë’, me lëndë ‘Thirrje për seancë dëgjimore në Komisionin Hetimor’.
Në këtë shkresë, veç të tjerave, kërkohet prania e Presidentit të Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta, në seancën dëgjimore në datën 24.5.2021, ora 12:00, para strukturës të emërtuar si ‘Komisioni Hetimor’.
Ky njoftim, ashtu si gjithë praktika e dërguar deri më tani në adresë të Institucionit të Presidentit të Republikës, është një përpjekje e radhës e Kuvendit, për të bërë të duket sikur po ndiqet një proces i ligjshëm, ndërkohë që siç dhe Kuvendi është në dijeni, ky proces ka nisur në kundërshtim të plotë me Kushtetutën, Rregulloren e Kuvendit, dhe ligjin.
Para së gjithash, ju bëjmë sërish me dije se, Kuvendi i Shqipërisë e humbi mundësinë që nëse do të donte të zhvillonte një seancë dëgjimore me Presidentin e Republikës, ta zhvillonte atë sipas kërkesës së tij, në datën 10 maj 2021, duke e mohur këtë kërkesë në mënyrë arbitrare dhe të orientuar politikisht.
Me veprimtarinë e tyre të zhvilluar në shkelje të parashikimeve të detyrueshme për zbatim, Kuvendi e humbi mundësinë e dhënë nga Presidenti i Republikës për të respektuar Kushtetutën, Ligjin dhe Rregulloren e Kuvendit.
Lidhur me këtë lloj njoftimi të përsëritur nga ana juaj, Presidenti e ka shprehur qartë vullnetin dhe qëndrimin e tij në shkresën me nr. prot. 1651, datë 16.5.2021.
Kjo letër dhe ky vullnet i Presidentit të Republikës ju është përcjellë tashmë dy herë. Së fundmi dhe me shkresën me nr. prot. 1651/3, datë 21.5.2021, dorëzuar në Kuvendin e Shqipërisë në po të njëjtën datë, në orën 14:30.
Ndërkohë që Kuvendi i Shqipërisë, vijon me përgatitjen e dosjeve fiktive, përmes njoftimeve të parapërgatitura, me qëllim që të duket sikur po zhvillon një proces që respekton procedurën.
Mjafton këtu vetëm të përmendim faktin se, pa pritur ende përgjigjen e Institucionit të Presidentit të Republikës për shkresën tuaj me nr. prot. 1081/32, datë 18.05.2021, (përgjigjen e së cilës e ka marrë me shkresën nr. prot. 1651/3, datë 21.5.2021, administruar nga Kuvendi në orën 14:30), Kuvendi ka përcjellë përmes shkresës nr. 1081/36 prot, datë 21.05.2021,Kuvendi përsërit të njëjtën kërkesë për të cilën tashmë kishte marrë përgjigje.
Gjithsesi, ju sjellim në vëmendje se, Presidenti i Republikës ka bërë të qartë qëndrimin e tij se, nuk bëhet palë me askënd në shkelje të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.
Presidenti i Republikës nuk mund të diskutojë, por dhe as të dëgjohet nga një strukturë e ngritur në Kuvend, që nuk ka legjitimitet dhe nuk duhet të ekzistojë sipas Kushtetutës dhe ligjit.
Presidenti i Republikës, ripërsërit edhe një herë thirrjen për reflektim në kohë nga ana e deputetëve të këtij Kuvendi, që veprimtarinë e tyre në kushtet e afrimit dita-ditës të përfundimit të mandatit, duhet ta ushtrojë vetëm në përputhje me rendin e brendshëm juridik.
Sa më sipër me porosi të Presidentit të Republikës, po jua ridërgojmë edhe një herë bashkëlidhur shkresën me nr. prot. 1651, datë 16.5.2021.
Duke ju uruar punë të mbarë,
DREJTORI I KABINETIT
Edmond Panariti