BallinaAktualitetPS kërkon shkarkimin e Metës/Prezantohet në Komision raporti. Hyseni: Brenda 7 ditësh...

PS kërkon shkarkimin e Metës/Prezantohet në Komision raporti. Hyseni: Brenda 7 ditësh në Kuvend

Po prezantohet sot në Komisionin Hetimor raporti përfundimtar mbi gjetjet e hetimit lidhur me presidentin Ilir Meta, që erdhi pas kërkesës së 49 deputetëve socialistë me qëllim shkarkimin e kreut të shtetit.

Kreu i Komisionit Hetimor Alket Hyseni deklaroi se raporti do të dërgohet brenda 7 ditësh në seancën e Kuvendit. Ai u shpreh se Komisioni Hetimor i ka dhënë përgjigje objektit të hetimit, duke theksuar se në radhë të parë është respektuar Kushtetuta.

Hyseni përsëriti edhe njëherë pretendimet se presidenti ka cenuar imazhin e vendit dhe raportet e Shqipërisë me partnerët. Ai deklaroi se gjatë fushatës elektorale presidenti nuk ka siguruar unitetin kombëtar, ndërsa mesazhet e tij kundër mazhorancës janë cilësuar si të paprecedenta.

Ndërsa përmendi marrjen e provave nga Komisioni Hetimor, Hyseni tha se u respektua ligji sa i takon informacionit të klasifikuar nga SHISH mbi kreun e shtetit.

RAPORTI

Gazeta “Panorama” ka lexuar një pjesë të raportit, në të cilën renditen gjetjet e hetimit nga konsultimi me ekspertët ligjorë dhe nga informacionet e mbërritura nga institucionet shtetërore. Në raportin që pritet të miratohet sot, kreu i shtetit s’e ka shkelur betimin e Presidentit siç parashikohet në Kushtetutë.

Sakaq, Meta akuzohet nga deputetët socialistë se ka shkelur nenin 86/ 1 të Kushtetutës, në të cilën thuhet:

“Presidenti i Republikës është Kryetar i Shtetit dhe përfaqëson unitetin e popullit”. Një tjetër akuzë që maxhoranca ka ngritur ndaj kreut të shtetit është shkelja e nenit 89. Sipas socialistëve, me veprimet e kryera, kreu i shtetit ka punuar gjatë fushatës në favor të një subjekti politik që merrte pjesë në garë, ndërkohë që neni në fjalë parashikon të kundërtën.

“Presidenti i Republikës nuk mund të mbajë asnjë detyrë tjetër publike, nuk mund të jetë anëtar partie dhe as të kryejë veprimtari tjetër private”, shkruhet në ligjin më të rëndësishëm të vendit. Ndërkohë, lidhur me ngjarjen e ndodhur vetëm pak ditë para zgjedhjeve në zyrat e FRDsë, komisioni hetimor ka ngritur një akuzë ndaj Presidentit Meta se ka shkelur nenin 94 të Kushtetutës, në të cilin thuhet: “Presidenti i Republikës nuk mund të ushtrojë kompetenca të tjera përveç atyre që i njihen shprehimisht me Kushtetutë dhe që i jepen me ligje të nxjerra në pajtim me të”.

spot_imgspot_imgspot_imgspot_img
spot_img
RELATED ARTICLES
- Advertisment -spot_img
- Advertisment -spot_img

Most Popular