ARISTIR LUMEZI/ Partia Socialiste do të nisë një reformë të thellë në administratën publike, duke larguar pjesën më të madhe të drejtorëve të përgjithshëm dhe ata rajonalë.
Burime nga Partia Socialiste thanë dje se në sitën e luftës antikorrupsion do të kalojnë të gjithë drejtorët dhe procedurat tenderuese që janë zhvilluar në institucionet publike të vendit.
Të njëjtat burime thanë për gazetën “Panorama.al” se reforma në administratën publike do të sjellë njerëz të rinj në krye të institucioneve në nivel qendror, rajonal dhe vendor.
Disa lëvizje të detyrueshme pritet të bëhen edhe për shkak të zgjedhjes si deputetë të drejtuesve të enteve të rëndësishme publike, lëvizje do të ketë edhe në drejtori të tjera. Benet Beci, drejtori i Korporatës Elektro-energjetike, fitoi mandatin e deputetit në qarkun e Shkodrës dhe në vend të tij kreu i qeverisë do të propozojë brenda pak ditësh emrin e ri në krye të këtij institucioni strategjik për vendin. Ajet Zyberi zuri vendin e drejtoreshës së Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit, Dallëndyshe Bici, e cila u emërua dy javë më parë zv.ministre e Mbrojtjes. Por mësohet se lëvizjet do të prekin dhe tatimet e doganat, por dhe agjenci të rëndësishme shtetërore. Përtëritja e drejtuesve kryesorë të administratës publike pritet të bëhen nga kabineti aktual, ndërsa Kryeministri u shpreh dy ditë më parë se qeveria e re do të duhet të krijohet pas sezonit veror.
BALLA
Kryetari i Grupit parlamentar socialist, Taulant Balla, tha dje gjatë fjalës së tij në Parlament se do të largohen të gjithë ata punonjës të administratës të korruptuar, të cilët nuk u kanë dhënë shërbime qytetarëve.
“Në vitin 2013 duhet të fusje mik për të marrë më shpejt një certifikatë familjare apo personale. Sot jemi në kushtet që për 400 shërbime, përfshirë edhe certifikatën, nuk është më e nevojshme të presësh në radhë apo të shkosh nëpër zyrat e shtetit, por i përfiton drejtpërsëdrejti online përmes portalit ‘e-Albania’.
Natyrshëm, sfida jonë në këtë mandat të ri është thellimi i mëtejshëm i kësaj reforme, që ka për synim dixhitalizimin e plotë të të gjitha shërbimeve dhe licencimeve. Ka një aksiomë në betejën ndaj korrupsionit që thotë: sa më pak kontakt mes individëve, aq më pak korrupsion ka. Vendet që sot rankohen në krye të listës botërore me më pak korrupsion, sikurse janë Finlanda dhe Estonia, i gjithë procesi i aplikimit për leje të ndryshme bëhet online. Pra, është shmangur tërësisht kontakti mes zyrtarit të shtetit dhe qytetarit që do të marrë shërbimin.
Ne e kemi thënë shpeshherë në sallën e Kuvendit se për Partinë Socialiste të Shqipërisë edhe në këtë mandat të ri beteja kryesore është beteja për të çliruar zyrat e shtetit nga individët e korruptuar, të cilët marrin ryshfet në këmbim të një shërbimi publik. Mandati i tretë do t’i japë një goditje shumë herë më të fortë çdo zyrtari të pandreqshëm, i cili nuk e ofron shërbimin publik si duhet”, tha Balla dje në Kuvend.
Ai shtoi se do të rishihen të gjitha procedurat tenderuese që janë zhvilluar në institucionet publike. “Kundërshtari më i madh i Partisë Socialiste edhe në këto zgjedhje nuk ishte as Monika e as Luli, por ata zyrtarë shteti të cilët me papërgjegjshmërinë e tyre nuk ua kanë dhënë shërbimet si duhet qytetarëve shqiptarë. Transformimi i plotë i administratës së shtetit në shërbim të plotë dhe transparent ndaj qytetarëve, garantimi që çdo qindarkë publike të investohet me cilësi, është sfida jonë. Ne duhet të rishikojmë të gjitha procedurat e tenderëve publikë në këtë vend, në mënyrë që çdo qindarkë të shkojë tek investimi publik”, tha Balla.