Detaje të reja për vrasjen e Kudret Saliaj nga ish vjehrri i tij rreth 30 minuta para seancës gjyqësore.
Kamerat e sigurisë kanë zbuluar se Dhurata Saliaj, e bija e Mexhit Picarit, ishte bashkëpunëtore në krimin makabër që tronditi Tiranën pak ditë më parë.
Në pamjet që gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha ka siguruar, shihet teksa i ati zgjat dorën dhe merr armën nga çanta e saj.
Më pas, Mexhit Picari dhe vajza e tij Dhurata Saliaj, kanë shkuar në lokalin ku ishte ulur viktima dhe e kanë vëzhguar për rreth 20 minuta. Në tavolinë me viktimën ishte avokati i çështjes, Adriatik Cama, i cili mbeti i plagosur dhe një psikologe. Autori dhe vajza e tij, kanë qenë në lokal në pritje të seancës gjyqësore.
Taksisti A.I., i pyetur nga grupi hetimor ka zbuluar bisedën që Dhurata Saliaj ka bërë me babain e saj në telefon.
“Një vajzë e re rreth 30 apo 40 vjeçe ngriti dorën afër “Vasil Shantos” dhe më kërkoi ta çoja deri në Vorë. Ajo foli në telefon dhe tha ‘Baba , bëhu gati ndërrohu, merr rrobat e punës se po vij me taksi’”, u shpreh taksisti.
Mbas krimit, kur Dhurata dhe i ati u larguan nga lokali ajo hodhi në kokë një kapuç të zi, dhe më pas, të dy babë e bijë u larguan veç e veç me taksi.
Sipas të dhënave, rezulton se Mexhit Picari ka gënjyer në dëshminë e tij dhënë në polici.
Sipas tij, ka qenë viktima Kudret Saliaj që e ka ofenduar dhe për këtë arsye autori e ka qëlluar atë. Një ditë para vrasjes, rezulton se viktima ka pasur një debat të ashpër me ish bashkëshorten e tij Dhuratën.
Fillimisht u raportua se në tavolinën e viktimës ka qenë edhe djali i ish çiftit Saliaj, por nga këqyrja e kamerave të sigurisë nuk ka rezultuar kështu. 16-vjeçari është pyetur nga policia dhe në dëshminë që disponon gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, ai ka deklaruar përpara grupit hetimor, se nuk ka qenë i pranishëm në vendngjarje. Madje ai ka shtuar se nëna e tij, Dhurata Saliaj ushtronte dhunë ndaj tij, motrës dhe vëllait të tij të vogël.
“Shkova afër gjykatës mbasi dola nga shkolla. Më telefonoi babai, më tha ‘Mos u afro se është edhe pala tjetër dhe kam frikë mos konfliktohen.’ Unë kam pasur marrëdhënie të mira me nënën, e cila më ka dhunuar mua dhe dy të tjerët. As me gjyshin dhe dajën s’kam pasur marrëdhënie të mira. Ky i fundit më ka kërcënuar dhe e kam denoncuar”, dëshmoi djali i çiftit, i identifikuar me inicialet E.S.
Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, rezulton se Mexhit Picari është çuar dhe ka qëlluar ndaj ish dhëndrit të tij, Kudret Saliaj, por ka lënë të plagosur edhe ish prokurorin Adriatik Cama. Ky i fundit ka marrë një plumb në pjesën e djathtë të kraharorit.
Ndërkaq, avokati Cama ka deklaruar në polici se nuk ka mundur ta shoh të gjithë ngjarjen, pasi sipas tij ka qenë duke lexuar ekspertimin e psikologes. Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, kësaj të fundit i ka rënë të fikët dhe ende nuk është në gjendje të japë dëshminë e saj të plotë./TopChannel