Teksa na ndan vetëm një ditë nga zgjedhjet për kreun e ri të Partisë Demokratike, kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në këtë parti, Jemin Gjana ka dalë në një deklaratë për mediat.
Ai bëri me dije se komisioni ka miratuar listën paraprake të komisionerëve dhe se aktualisht vijon procesi për shpërndarjen e materialeve zgjedhore në të gjitha degët e PD në vend ku do të mbahen zgjedhjet.
“Sapo përfunduam një nga mbledhjet e komisionit. Miratuam listën, jo përfundimtare, pasi nuk janë përfaqësues për të gjita komisionet. Kandidati Kadilli ka sjellë përfaqësuesit e tij nga 76 në 54 komisione. E miratuam këtë listë pasi bëmë verifikimet. Qendrat do të duhet të jenë të hapura në orën 8 ditën e nesërme. Nëse do të ketë raste që do të mungojnë, apo do të dërgojnë lista me emra që nuk janë anëtarë të PD, kjo s’do të thotë se qendrat nuk hapen. Janë nisur në të gjitha qarqet materiali zgjedhor. Listat e votuesve që janë shkarkuar nga sistemi, po shpërndahen të gjitha. Në fund është lënë Tirana. Procesi përfundon i gjithi deri në drekë.”, tha ai.