Kandidati për Kryetar të Partisë Demokratike, Agron Shehaj ka folur mbi zgjedhjet në selinë blu. Në emisionin “Opinion”, Shehaj u pyet lidhur me deklaratat e Bashës që kërkoi bashkëpunim me sfidantët e tij në garë për qëllimet e përbashkëta.
“Ne bashkë jemi. Ne nuk jemi ndarë ndonjëherë”, – tha Shehaj duke iu referuar kryedemokratit Basha.
Ai tha se 15% e votave nuk reflekton mbështetjen që ai ka në parti, por evidentoi ato që i konsideron si parregullsi të 13 qershorit.
“Rezultati është i qartë. Pritshmëritë e mia ishin shumë më të mëdha. Basha vazhdon të jetë kryetari i PD. Sigurisht 15% nuk reflekton mbështetjen që unë kam në anëtarësinë e PD-së.
Ka pasur parregullsi, kryesisht kanë qenë të lidhura me faktin që dhjetëra-mijëra demokratë janë përjashtuar, nuk kanë qenë në lista, dhe nuk kanë mundur të votojnë. Vëzhguesit e mi nuk kanë pasur mundësi të verifikojnë kush po voton”, – tha Shehaj.