Vendimi i KKT-së për të miratuar lejen e ndërtimit të Teatrit të ri Kombëtar, ka bërë që artistët dhe shoqëria civile të paraqiten sërish në Gjykatën Kushtetuese.
Avokatja, Adriana Kalaja, ka akuzuar për ndërhyrje në punët e Gjykatës Kushtetuese si nga politika ashtu dhe nga trupi diplomatik, duke theksuar takimin e ambasadorit Soreca në Gjykatë, më 16 qershor, ditën e gjykimit të Teatrit Kombëtar.
E ftuar në emisionin “Ditë e Re” në Rtv Ora, avokatja thotë se Aleanca mendon se janë thyer rregullat, për sa kohë që vizita e ambasadorit Soreca në Gjykatë, në ditën e gjykimit të Teaatrit Kombëtar nuk u bë publike.
“Mendojmë se janë shkelur rregullat për sa kohë nuk u bë një deklaratë, për takimin që u bë pikërisht në ditën e gjykimit të Teatrit Kombëtar. Nëse Soreca e ka pasur takimin e programuar nuk ka asnjë lloj arsye të jetë kështu, pasi data 16 qershor ka qenë data për Aleancën e Teatrit.Është një rastësi shumë e madhe, që në atë datë në pikë të mëngjesit ambasadori të ketë shkuar të flasë për çështje të reformës në drejtësi”.
Avokatja pohon se pozicionimi i ambasadorëve vitet e fundit është qartë kundër interesit publik.
“Mendoj që të paktën në këto 5 vitet e fundit pozicionimi i ambasadorëve ka qenë dukshëm kundra interesit publik, në shkelje të kushtetutës shqiptare. Dhe një nga këto sipas nesh është dhe çështja e teatrit.”
Kalaja shton se Parlamenti Europian e dënoi dhunën ndaj artistëve, gjë që përfaqësuesi në territorin shqiptar nuk po e bën.
“Mendoj se ishte detyrim moral i z.Soreca për të mbrojtur arkitekturën që ishte lindur nga vendi i tij, gjë që po e bëjnë tre senatorë aktivë italianë. Njëri nga këta senatorë, pranoi që të vinte dhe si ekspert, dëshmitar në Gjykatën Kushtetuese. Pra janë italianë që respektojnë dhe mbrojnë arkitekturën italiane, që nuk është e zbardhur në vendin e tyre. Nëse kemi parasysh fillimin e qershorit, ku vetë Parlamenti Europian organizoi një seancë ku u dënua akti i shembjes së teatrit, u dënua dhuna ndaj artistëve dhe protestuesve, u bë thirrje që të uleshin palët në një zgjidhje të mundshme. Gjë që e bëri Parlamenti Europian, por nuk e bëri përfaqësuesi i tyre në territorin shqiptar.”
Sipasj saj, besimi ndaj Gjykatës Kushtetuese është thyer.
“Është thyer besimi te Gjykata, sepse gjykata nuk e bën publike, delegacioni nuk e bën publik, atëherë ne kemi të drejtën legjitime të besojmë, që ky takim është bërë për interesa personale. Ne jemi të bindur që takimi është bërë për të lobuar për Erjon Veliaj. Nëse Gjykata Kushtetuese do pranojë kërkesat tona, SPAK e ka shumë të lehtë të mbylli hetimet. Gjykata ndan se ku do jetë të nesërmen Veliaj, do jetë në zyrë apo do jetë prapa hekurave”, u shpreh Kalaja.