Reagon PD/ Të arrestohet sa më parë Erion Veliaj. Drejtësia për Teatrin, provë për SPAK
DEKLARATË E PARTISË DEMOKRATIKE, ÇLIRIM GJATA
Dy ditë më parë me vendimin e saj për Teatrin Kombëtar, Gjykata Kushtetuese provoi edhe njëherë se Shqipëria ka një shtet të kapur nga korrupsioni, ku ligjet bëhen dhe shkelen për t’u shërbyer interesave të një pakice, në dëm të shumicës së qytetarëve.
Vendimi dëshmoi se Edi Rama dhe Erjon Veliaj, shkelën Kushtetutën, dhunuan artistët, aktivistët dhe qytetarët, shembën dhunshëm Teatrin Kombëtarë, madje duke përodrur edhe forcat RENEA-n e armatosur deri në dhembë, vetëm për të çuar deri në fund grabitjen e tokës publike, për t’i liruar vendin kullave me të cilat do të pastroheshin paratë e pista të drogës dhe korrupsionit.
Për tre vite me rradhë Partia Demokratike qëndroi në mbrojte të tashëgimisë kulututore, në mbrojtje të artistëve, në mbrojtje të interesit publik, kundër një regjimi që u soll dhe sillet si një bandë plaçkitësish, që ka gjunjëzuar kryeqytetin duke e kthyer në lavatriçe të parave të pista të krimit dhe korrupsionit.
Koha na dha të drejtë, ndaj detyra jonë është të luftojmë edhe më forë kundër padrejtësisë.
Shfuqizimi i ligjit special dhe VKM-së që i kalon pronësinë Bashkisë Tiranë, bën nul dhe antikushtetues çdo veprim të kryer nga Bashkia e Tiranës dhe institucionet e tjera të përfshira, që duke përfituar nga mungesa e Gjykatës Kushtetuese, shembën barbarisht Teatrin Kombëtar.
Këto veprime ANTIKUSHTETUESE, që nuk u ndalën përpara kërkesave të artistëve dhe qytetarëve, madje as përballë autoriteteve ndërkombëtare në fushën e trashëgimisë kulturore, si Europa Nostra, që e renditën Teatrin si objektin më të rrezikuar në Europë, përbëjnë provën më flagrante për abuzimin me pushtetin nga Edi Rama dhe Erjon Veliaj.
Autorët e këtij krimi të rëndë kushtetutes dhe ligjor, me pasoja të rënda për interesin publik duhet të mbajnë përgjegjësi të plotë.
Ndaj sot Partia Demokratike i bën përsëri thirrje SPAK të arrestojë sa më parë Erion Veliajn si autorin dhe përgjegjësin direkt për shkatërrimin e një pasurie kombëtare, në kundërshtim me Kushtetuën dhe ligjet e vendit.
SPAK duhet të marrë gjthashtu nën përgjegjësi penale edhe çdo zyrtar publik të përfshirë në këtë paligjshmëri, duke filluar nga Edi Rama e deri tek çdo punonjës policie që u përfshi në aktin e dhunës për shembjen kriminale dhe antikombëtare të Teatrit.
13 muaj më parë Partia Demokratike ka depozituar një kallëzim penal në SPAK për 22 zyrtarë mes të cilëve janë Edi Rama dhe Erjon Veliaj. Sot nuk ka asnjë përgjegjës përpara drejtësisë, as për dhunën e ushtruar, as për aktin e paligjshëm të shembjes së Teatrit. Kjo vonesë ngarkon me përgjegjësi SPAK-un para shqiptarëve, sepse vendosja e drejtësisë për Teatrin është një provë e rëndësishme për funksionimin e pavarur të Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.
Artistët e bënë detyrën e tyre në mbrojtje të Teatrit dhe trashëgimisë, qytetarët e bënë detyrën e tyre në mbrojte të pronës publike dhe të Kushtetutës, Partia Demokratike e bëri dhe do ta bëjë detyrën e saj kundër regjimit dhe në mbrojtje të interesit publik. Tani është koha që SPAK të bëjë detyrën duke bërë drejtësi për Teatrin.
Dhe nga hiri i këtij tempulli të shembur padrejtëisht, bashkë me godinën historike, aty siç ishte dhe aty ku ishte, të mund të rindërtojmë të gjithë bashkë edhe demokracinë e goditur pabesisht nga masakra zgjedhore e 25 prillit.