Një ditë pas ngjarjes së rëndë në një gomisteri në Durrës, ku humbi jetën 20-vjeçari Rafael Tafaj, policia ka arrestuar pronarin e këtij biznesi, Xhemal Duka. Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm në zonën e Kënetës.
Pronari i gomisterisë akuzohet për “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Po ashtu, ka nisur procedimi për shoferin e ambulancës, Tiril Leba, i cili thuhet se ka mbërritur vonë në vendin e ngjarjes, duke vonuar kështu edhe dhënia e ndihmës së parë për viktimën.
Njoftimi i policisë:
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Durrës u arrestua në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasi Xh. D., 54 vjeç, banues në Durrës, pasi ditën e djeshme, në gomisterinë në pronësi të tij, si pasojë e një shpërthimi të një gome, humbi jetën shtetasi R. T., 23 vjeç (punonjës). Për këtë rast është proceduar penalisht për veprën penale “Shpërdorim detyre”, shtetasi T. L., 37 vjeç, banues në Durrës (shoferi i ambulancës), pasi dyshohet se është vonuar për të shkuar në vendngjarje, duke sjellë vonesë për dhënien e ndihmës së parë.