Nga Mina HYSA
Shqipëria ka prodhuar profesionistë të shkëlqyer ndër vite në fusha të ndryshme. Ky vend, ose më saktë politikat jo të duhura qeverisëse nuk kanë mundur që të mbajnë pranë nesh, në sistem, më të mirët, të cilët të gjendur përballë braktisjes së shtetit të tyre, janë detyruar të marrin rrugët dhe shtegëtuar në vende të ndryshme të botës për t’u specializuar, punësuar dhe ushtruar profesionin e tyre ku dinë t’i vlerësojnë. Largimi për secilin ka qenë shpeshherë kundër dëshirës, por rrethanat në të cilat e kanë ushtruar profesionin në Shqipëri i kanë detyruar që të ikin në kërkim në vendin ku mund të ndihen më mirë jo vetëm personalisht, por dhe profesionalisht. Fatkeqësisht kjo rrjedhje vazhdon edhe sot e kësaj dite dhe me ritme të shpejta në shumë profesione veçanërisht në ato më të kërkuarit!. Atje ku kanë shkuar, shqiptarët kanë përformuar shkëlqyer duke qenë një histori suksesi. Rasti që do të sjellim sot është krejt i veçantë. Bëhet fjalë për një zonjë të nderuar e cila që në fëmijërinë e saj qëllim në vetvete ka pasur të nxënit sa më shumë në mësime, por dhe ka shfaqur brenda vetes dëshirë për të arritur atje ku është sot. Në fëmijërinë e saj thellë kishte dëshirë e më pas dhe ëndërr të ndihmonte njerëzit në rrezik, ishte kjo ndjenjë që e shtyu duke u rritur të studionte për mjekësi e ndoshta duke plotësuar dhe një ëndërr të një prej prindërve (mamasë) e cila në pamundësi në komunizëm nuk mundi të bëhej një mjeke siç ëndërronte, por ekonomiste.
Quhet Dr.med. Aurora (Meta) Dollenberg. Ka lindur në qytetin e Fierit në një ditë të rëndësishme përkujtuese për shqiptarët siç është dita e pavarësisë së Shqipërisë, më 28.11.1985. Ka kryer ciklin parauniversitar me rezultate të shkëlqyera duke u diplomuar për mjekësi me rezultate shumë të larta në “Universitetin e Mjekësisë” e Tiranës. Fal përkushtimit të prindërve për ta shkolluar dhe vullnetit të saj për të studiuar, të të nxënit sa më shumë të dijeve, bëri që Aurora vitet më të bukura të rinisë ia kushtoi shkencës dhe mjekësisë. Dëshira e ëndrra e Aurorës për të shpëtuar jetë njerëzore, janë sot të realizuara plotësisht në sajë të punës së saj këmbëngulëse, energjive të pashtershme, të shpirtit krijues, guximit dhe dashurisë për profesionin. Nuk jeton dhe punon në Shqipëri, por gjatë kohës së pandemisë nga COVID 19 dhe jo vetëm, e kemi pasur të gjithë në shtëpi përmes daljes së saj shpesh në media duke dhënë këshilla dhe kontributin si një shqiptare e mirë dhe profesioniste për bashkëatdhetarët e saj.
Aurora është mjeke në Hanovër, Gjermani. Ajo trajton sëmundje të përgjithshme, por dhe speciale. Si mjeke urgjence, ndihmon në shpëtimin e jetëve të pacientëve nga sëmundjet akute vdekje-prurëse. Si psikoterapiste kujdeset që me anë të një shëndeti më të mirë psiqik të pacienteve, të rris cilësinë e jetesës te tyre afatgjate.
Me meritokraci Aurora Meta (Dollenberg) arriti në Gjermani në vitin 2010 ku pavarësisht barrierave të mëdha që kishte në fillim si emigrante, me vullnetin dhe dëshirën e madhe që qëllimet t’i qojë deri në fund. Ka kryer tre specializime deri më sot 34 vjeçe, që janë përkatësisht: Specializim “Mjeke Familje”, specializim “Mjeke Urgjence” specializim “Psikoterapi”. “Me punë arrihet çdo gjë”- është ky motivi që gjithmonë e ka shoqëruar mjeken dhe shkencëtaren shqiptare. Paralelisht Dr.med Aurora Dollenberg ka ndjekur edhe karrierën akademike në universistetet më të njohura në Gjermani, ku dhe ka përfunduar dy kërkime shkencore mbi: -” Çrregullimet e Ankthit-Depresionit” dhe “Kancerit tek gratë”.
Dr.Aurora përkrah të gjithë këtyre angazhimeve së bashku me motrën e shoqen e saj të pandarë, Elonën arriti të hapte në vitin 2018 dy klinikat e saj private në Wolfenbüttel afër Hanover që është kryeqyteti i Saksonisë së Ulët. Në klinikat e saj përveç pacientëve gjerman trajtohen gjithashtu edhe shumë pacientë të trevave shqiptare.
Dr.Aurora është e lumtur që edhe pse në emigrim vazhdon të ndihmojë, shpëtojë jetë të shumë njerëzve ku bëjnë pjesë dhe shumë shqiptarë. Në vitin 2019 së bashku me motrën themelon të parën Federatë të regjistruar në bazë të juridiksionit gjerman “Federata e Mjekëve Shqiptarë në Europë“, ku është dhe kryetare e saj, nëpërmjet së cilës ajo dëshiron që humanizmin e saj ta çojë përtej trojeve shqiptare deri në cepin tjetër të botës gjithmonë duke i shërbyer Shqipërisë dhe shqiptarëve që ajo i do kaq shumë.
Federata ka ofruar gjatë gjithë pandemisë konsultimet falas online me pacientët e prekur nga COVID-19. Me inciativën e Aurorës janë organizuar 8 konferenca mjekësore ndërkombëtare, të akredituara në Gjermani, ku janë vënë në dispozicion kolegëve të saj mjekë dhe qytetarit shqiptar protokollet më të fundit të trajtimit te COVID-19. Kjo ka ndihmuar në përmirësimin e ndjeshëm të dijes së mjekëve, sidomos tek rastet e shumta të pacienteve të trajtuar gabim apo thjesht me medikamet shumë të shtrenjta apo të panevojshme. Ndër sukeseset me madhore të Federatës ishte dhe kontributi në sigurimin e më shumë se 150 mijë doza vaksinash nga Bashkimi Evropian për vendet shqipfolese. Federata e drejtuar nga Aurora ka kontribuar në ardhjen e 95,000 vaksinave për Kosovën përmes Bashkimit Evropian. “Kjo mundësi, është një fitore e madhe për federatën tonë mjekësore humanitare. Fokusin tashmë ne si Federatë e kemi jo vetëm në sigurimin e donacionave të vaksinave për vendet shqipfolëse, por edhe në zhvillimin dhe ndjekjen e kërkimeve shkencore në vendet europiane ku punojmë si mjekë, që edhe vendet shqipëfolese të përfitojnë nga tërheqjen e fondeve për medikamentin më të fundit, që e shëron COVID 19 brenda 5 ditëve. Ne jemi të vetëdijshëm se për imunitetin e tufës nevojiten akoma më shumë vaksina, kështu që ne do të vazhdojmë përpjekjet tona për të rritur ndërgjegjësimin e Bashkimit Evropian për mundësimin e dërgesës së radhës” -thotë Dr.Aurora. Ndërkohë në kuadër të kësaj ndihme, në fund të muajit qershor Federata pati një takim në Bruksel për të lobuar për vaksinat e mëtejshme për pacientët shqiptarë. Federata e Mjekëve Shqiptarë në Evropë është struktura e vetme e regjistruar që operon në një nivel Evropian. “Ne krenohemi me mjekët dhe bluzat e bardha Federatës prej 21 vende europiane që punojnë vullnetarisht dhe me humanizëm kanë mbështetur si në rrugë monetare dhe me dije gjatë këtij viti pandemik. Humanizmi nuk ka ngjyre e as kombësi” –shton Aurora për startnews.al.
Por, Dr. Aurora (Meta) Dollenberg, ka një sukses të madh të realizuar në jetën e saj, pavarësisht profesionit të saj të dashur. Kjo është familja për të cilën ajo krenohet dhe jeton! Puna akademike dhe gjithë arritjet mjekësore për të janë janë sekondare.