Prokuroria e Pejës ka njoftuar ditën e sotme se ka bërë identifikimin e dy personave me shtetësi serbe, që ishin parë në afërsi të Manastirit të Deçanit, dhe janë duke zhvilluar hetimet nëse kanë lidhje me helmin e qytetarëve në Deçan.
Në njoftimin e bërë për media thuhet se pasi kanë pranuar informatat kanë ndërmarrë veprimet e duhura për të zbardhur nëse ‘aludimet’ e deritanishme kanë vërtetësi.
“Prokuroria Themelore në Pejë, njofton opinionin publik se, lidhur me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit, pasi janë pranuar informata se para disa ditësh janë parë duke lëvizur në drejtim të Manastirit të Deçanit, dy persona të nacionalitetit serb, menjëherë janë ndërmarrë veprime me autorizimin e Kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Pejës në koordinim me Agjencinë e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Drejtorinë Rajonale të Policisë së Kosovës në Pejë, ashtu që është bërë identifikimi i personave që shihen në ato fotografi dhe do të verifikohet nëse kanë lidhshmëri eventuale me situatën e krijuar ditëve të fundit në komunën e Deçanit”
Qytetarët besojnë se helmimin e kanë bërë dy serbë, të cilët vizituan vendin më 27 qershor. ‘Albanianpost’ ka bërë një vizitë në një nga ndalesat e ujësjellësit e ‘Hidrondrinit’ në komunën e Deçanit, aty ku vunë re se ishte gjysmë e hapur, dhe kapaku i betonit mbi të ishte i lëvizshëm dhe i pasiguruar.