Ka qenë një mbrëmje shumë pozitive për lojtarët kuqezinj të shpërndarë në Europë në klube të rëndësishme. Edhe pse Ligat e mëdha të Europës nuk kanë nisur, në Kroaci, Poloni e Francë luhet dhe për lojtarët shqiptarë ishte një ditë plotë me gola spektakolarë.
E nisim me Rey Manaj i cili ishte protagonist sërish me Barcelonën në miqësoren me Gironën ku e nisi titullar dhe shënoi sërish, goli i katërt në pak ditë. Fatkeqësisht u dëmtua para se të mbyllej pjesa e parë.
Në Francë, në Ligue 2, Qazim Laçi e nisi më së miri me një dygolësh për Ajaccio duke marrë një barazim 2-2 në fushën e Toulouse. Që të dy golat me të djathtën shumë të bukur për mesfushorin kuqezi të kombëtares.
Në Kroaci, Enis Çokaj është një lider tashmë te Lokomotiva e Zagrebit ku luan titullar prej 3 sezonesh dhe sot me golin e tij me kokë ndihmoi ekipin që të fitonte 2-1 në fushën e Slaven Belupos.
Në fund kemi edhe perlën e Ernest Muçit. Goli i parë i sulmuesit shqiptar në kampionatin polak me Legian dhe është një kartolinë e vërtetë, një predhë e tij që rrëmben zemrat e tifozëve polakë.