Nga Ermal Mulosmani/ Të shkruash për Erion Veliaj-n është një përpjekje jo e lehtë. Maskarada e propagandës dhe “kitschi” i ndërtuar prej tij si “llërëpërveshur e punëmbaruar” kanë mpirë arsyen e qytetarëve në atë masë sa të mos shohin çibanët e betonit që po na zënë frymën edhe në cepat e largët të qytetit e lëre më pastaj në vendet e lakmuara si blloku apo qendra e Tiranës. Televizionet dhe mediat e ndikuara prej tij, këta megafonë të lustrës bashkiake, e kanë mbytur me dhunë çdo klithmë dëshpërimi e vuajtjeje qytetari.
Ndërtimi i një imazhi të tillë, përmes bombardimit mediatik me të vërteta të seleksionuara, është dëmi më i madh që mund t’i bëhet interesave të banorëve. Nuk e di se çfarë kauze tjetër mund të presë një aktivist, një qytetar, një parti opozitare më shumë sesa të protestojë për një çështje të tillë si masakra urbane.
Sot në rrjetet sociale është publikuar një pallat në ndërtim e sipër, në një lagje krejt periferike të Tiranës, në Astir, rruga “Loni Ligori”. Nga foto e marrë me dron duket krejt e qartë që pallati në ndërtim është bash në qendër të një sheshi trapezoidal që krijohej nga pesë pallate shumëkatëshe të ndërtuara me një dendësi të tepruar për metër katror. Megjithatë, ish- hapësira në mes atyre pallateve ishte njëfarë ngushëllimi për banorët e tyre.
Derisa një ditë të nxehtë Korriku të vitit të kaluar Bashkia e Tiranës vendosi ndryshe. Ai oborr i vogël për ndoshta 200 fëmijë që jetonin aty, është i tepërt.
Aty, sipas Bashkisë, ka vend për një ndërtim tjetër shumëkatësh!
Pamjet nuk kanë nevojë për koment. Vetëm shikojeni formën e objektit në ndërtim. Është një kuçedër që fillon si katror a drejtkëndësh, pastaj zgjerohet paksa në formën e një trapezoidi për të maksimizuar fitimin e ndërtuesit dhe ngushtuar rrugëkalimin aq sa të lejojë vetëm kalimin akrobatik të një makine. Por ndërtuesi nuk harron të shkruajë lajmërimin: “Shitjet kanë filluar” dhe numrin e telefonit të zyrës së shitjeve.
Ky vendim i Bashkisë së Tiranës nuk pati bujë. Ai nuk mbërriti në veshët e sytë e qytetarëve të Tiranës. Pati vetëm një publikim të vogël fare, të mezilexueshëm, para sheshit të ndërtimit. Aq sa duhet. Aty shkruhej që në sheshin trapezoidal të pallateve do të ndërtohej një pallat tjetër 1, 6 dhe tetë katësh! Punimet fillojnën në Tetor 2020 dhe mbarojnë në Prill 2022.
Atë ditë do ketë pasur se s’bën ndonjë publikim ku Kryetari po vizitonte të dëmtuarit e tërmetit nëpër fshatra, po vinte ndonëj tullë në një shkollë apo po mbillte një pemë i shoqëruar nga ndonjë këngëtar apo aktor i paguar prej tij. Maskarada e propagandës sigurisht e ka mundur gulçimën e hallit të astirianëve të nëpërkëmbur.
Fundja, astirianët e meritojnë për vuajtjen që i kishin shkaktuar Krytarit…
****
Duke kërkuar në internet për rrugën “Loni Ligori” u bëra kurioz për Lonin vetë. Mësova që mbiemri i vërtetë i tij nuk është Ligori por Logori, kishte lindur në Korçë dhe kishte jetuar e punuar në Egjipt. Atje edhe e kishte kaluar shumicën e jetës së vet si një biznesmen i suksesshëm. Ndërmjet të tjerave, Loni ishte autor i tekstit të serendave “O vemi” dhe “Drenovarja”.
E përmenda historinë e emrit të Lonit në këtë shkrim pasi ilustron në një farë mënyre idenë e fillimit . Kemi të bëjmë me një gabim emri rruge. Loni Ligori nuk ka ekzistuar kurrë. Imagjinoni për një çast sikur Fan Noli të ishte shkruar Fan Nali dhe Bashkia ta citonte pa të keq si të tillë. Por Fan Nolin e njohin të gjithë ndaj bashkiakët nuk do ia lejonin gabimin vetes. Korrigjimin do ta bënin me shumë reklamë. Ndërsa Lonin tonë nuk e njeh askush. Nuk ka efekt propagandistik edhe nëse e korrigjojmë ndaj më mirë e lëmë gabim. Fundja një rrugë Astiri është ç’prishi Logori a Ligori. Sepse e rëndësishme nuk është e vërteta por propaganda. Një veprim që nuk prodhon propagandë nuk i duhet askujt.
Tani të vijmë te maskarada tjetër e Veliaj-t. Pasi mbarova punë me Lonin u mora pak me rrugën që mban emrin e tij. Gjeta me dhjetëra kronika lustruese nëpër portale dhe televizione për inagurimin e rrugës “Loni Ligori”. Ishte një pamje e mrekullueshme, tipike një maskaradë. Një kafene e rrethuar bukur me vazo lulesh shumë ngjyrëshe, një gjysëm rruge e shtruar me asfalt, punëtorë me kokore e veshje profesionale dhe një rul asfalti që po bëhej gati për shtresën e dytë. Sa bukur! Mjeshtri i propagandës e kishte çuar pamjen në të gjitha mediat dhe kitschi i entuziasmit i kishte përfshirë të gjithë. Boll të klikoni me titullin “Nis rehabilitimi i rrugës Loni Ligori” dhe do shikoni sesa lajme do dalin.
Kronikat dhe lajmet promovuese mbanin datën 20 Maj 2019.
Mirëpo pas kësaj batërdie të propagandës më doli edhe një kronikë e Ora News.
Padyshim që Televizioni Ora është jashtë ndikimit të Veliajt dhe ka tendencë për të nxjerrë në pah të keqen e Bashkisë.
Por, kronika e datës 09 Qershor të këtij viti (dy vjet pas kronikës së entuziasmit) me sinkronet e banorëve të Astirit dhe pamjet e gropave ku notonin ujëra të zeza, tejkalonte çdo dyshim për tendencë. Ajo rrugë e nxirrte mutin e fshehur në shesh, hiqte maskën e propagandës.
Por atë kronikë e kishin parë diku te 460 persona. Me gjasë nuk e kanë parë as vetë banorët. Sepse shurdhimi nga megafoni i propagandës po mbyt të gjithë zërat kritikë dhe përmbajtësorë. Nëse individëve të nëpërkëmbur nuk u del në mbrojtje opozita politike me organizime protestash për çështje të tilla, ky vend ka marrë fund. As mos të presë ndonjëherë mbështetje për votat e vjedhura. Kur qeveria vjedh dhe mashtron qytetarin duke blerë heshtjen e Opozitës mund të vjedhë kur të dojë Opozitën pa frikën e kundërshtimit të qytetarëve. Kjo është vdekja graduale e demokracisë.
Gazeta Express