Britania e Madhe do të zgjerojë fushatën e saj të vaksinimit kundër COVID-19 te grupmosha 16-17 vjeç, duke u përmbajtur tani për tani nga imunizimi i të gjithë personave mbi 12 vjeç, si shumë vende perëndimore, njoftuan sot autoritetet shëndetësore.
“Unë i kam kërkuar Shërbimi britanik i Shëndetit Publik (NHS), që të përgatitet për të vaksinuar ata që kanë të drejtë, sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ministri i Shëndetësisë Sajid Javid në një deklaratë. “Programi do të fillojë në javët e ardhshme”, tha Prof. Jonathan Van-Tam, zëvendësshefi mjekësor për Anglinë, në një konferencë shtypi.
“Fëmijët 16-17 vjeç do të marrin një herë dozën e parë, përpara se të merret një vendim për dozën e dytë, pas rishikimit të të dhënave”, shtoi ai. Vetëm vaksina Pfizer/BioNTech është miratuar deri më tani te fëmijët mbi 12 vjeç nga rregullatori britanik.
Muajin e kaluar, qeveria njoftoi shtrirjen e fushatës së vaksinimit për fëmijët 12-15 vjeç klinikisht të prekshëm; për 12-17-vjeçarët, të cilët janë në kontakt me persona me imunitet të dëmtuar në shtëpitë e tyre; për të gjithë 17-vjeçarët në tre muajt që i paraprijnë ditëlindjes së tyre të 18-të. Në BM, ku 73% e të rriturve janë plotësisht të vaksinuar, epidemia ka vrarë gati 130 000 persona.