Jo-zyrtarisht raportohet se biznesmeni italian, Francesco Becchetitt ka arritur të fitojë në gjykatën ndërkombëtare në gjyqin e hapur kundër Shqipërisë. Raportohet se shuma e fituar nga italiani arrin në 110 milionë euro, por kjo nuk është ende e konfirmuar.
Eksperti i ekonomisë, Pano Soko thekson se nëse ky lajm konfirmohet, kryeministri Edi Rama e ka kusht juridik që të japë dorëheqjen dhe ndaj tij të nisë një procedim penal. Jo vetëm kaq, por duke qenë se kryeministri Rama pretendohet se është shpallur fajtor me veprimet kundër Becchetitt, Soko propozon që atij t’i sekuestrohet pasuria, përfshirë shtëpinë, për të bërë të mundur shlyerjen e gjobës 110 milionë euro që Shqipëria i detyrohet tashmë biznesmenit të huaj.
Reagimi i plotë i Pano Sokos:
Po lexoj lajmin për çështjen e njërit prej gjyqeve në Gjykatën e Arbitrazhit që kompania e Becchetitt ka hapur ndaj shtetit shqiptar. E kërkova te faqja e ICSID, por vendimi nuk ishte zbardhur ende.
Fillimisht duhet pritur zbardhja e vendimit nga ana e Gjykatës së Arbitrazhit.
Nëse vërtet Gjykata e Arbitrazhit ka penalizuar Shqipërinë për çështjen e mbylljes së Agon Channel, siç po pretendojnë burime gazetash të ndryshme, atëherë ky është kusht juridik që Kryeministri jo vetëm duhet të japë dorëheqjen, jo vetëm që duhet hapur proçedim penal për shpërdorim detyre me kosto për buxhetin e shtetit, por duhet t’i sekuestrohet gjithë pasuria deri në likujdimin e plotë të shumës. Pra, nëse gjoba që ka marrë shteti shqiptar është 110 milionë € (sa pretendohet nga disa media) atëherë fajtorit të gjetur në vendimin e gjykatës (pra Kryeministrit) duhet t’i sekuestrohet shtëpia, pasuritë e tjera të vetat dhe të familjes dhe çdo gjë deri në masën sa të shlyejë gjithë detyrimin që i lind shtetit prej veprimit të paligjshëm të tij, të gjetur si të tillë nga një Gjykata.
Dhe ky do të ishte një rast e zeza mbi të bardhë. Një gjykatë ndërkombëtare ka gjetur si të paligjshëm veprimet e qeverisë dhe Kryeministrit, kështu që asnjë prokuror dhe asnjë gjykatës as ka për t’u lodhur fare me çështjen.