Autoritetet greke kanë shmangur tragjedinë për një 26-vjeçare shqiptare të sapo bërë nënë, e që ra pre e grabitjes së foshnjes së sapolindur në maternitet.
Sipas asaj që shkruan gazeta Protothema në versionin e saj online, një 45-vjeçare greke është autorja e grabitjes së foshnjes së 26-vjeçares shqiptare në maternitet. Pas grabitjes, autorja ka nxitur për në shtëpinë e saj duke ja prezantuar bashkëshortin si fëmijën e tyre të porsalindur.
Por, plani i 45-vjeçares greke u prish nga një fqinje e saj, që njoftoi menjëherë policinë dhe pas arrestimit u mësua e gjithë e vërteta. Sipas autoriteteve, autorja e grabitjes kishte gënjyer për 7 muaj me radhë bashkëshortin e saj duke i thënë se ishte shtatzënë, ndërkohë që fëmijën e kishte humbur që në javët e para të shtatzënisë.
Përgjatë kësaj periudhe ajo i ka paraqitur bashkëshortit të saj analiza të rreme shtatzënie, ndërkohë që çifti ka edhe dy fëmijë të tjerë.
Për t’u siguruar që gënjeshtra nuk do t’i dilte në shesh, 45-vjeçarja ka studiuar për ditë me radhë lëvizjet e mjekëve dhe mamive në një maternitet dhe në momentin kur nënën 26-vjeçare shqiptare e kishte zënë gjumi me beben në krevatin e saj ja ka marrë prej krahëve dhe është larguar.
E reja shqiptare ka dhënë alarmin kur ka vënë re se i mungonte foshnja, por ishte shumë vonë dhe 45-vjeçarja ishte larguar me shpejtësi. Mamitë dhe stafi tjetër i maternitetit denoncuan në polici, ndërsa rasti i bujshëm përfundoi në mediat greke.
Pikërisht përmes mediave ishte njohur me grabitjen fqinja e 45-vjeçares, që ishte në dijeni të gënjeshtrës së saj për shtatzëninë dhe ka njoftuar menjëherë policinë, që ka ndërhyrë duke e arrestuar atë dhe duke i rikthyer beben 26-vjeçares shqiptare.