Nga Bujar Leskaj
Sot aktori i madh, Artisti i merituar, Mjeshtri i Madh, Nderi i Kombit, artisti me rolet e të cilit janë rritur e formuar breza të tërë shqiptarësh, Bujar Asqeriu mbush 65 vjeç.
Me një karrierë 50- vjeçare Bujar Asqeriu ka me dhjetëra role shumë të suksesshme në teatër e kinematografi. Në kinematografi ka shkëlqyer me kryerolin e tij, atë të Avni Rustemit, si edhe me dhjetëra role të tjera.
Ai është aktori më i mirë i teatrit të Vlorës dhe nga më të shkëlqyerit e Teatrit Kombëtar në 25 vitet e fundit.
Me zërin e mrekullueshëm dhe me paraqitjen e tij skenike Bujar Asqeriu ka shkëlqyer me trupën e Teatrit Kombëtar edhe në skenën e teatrit Globe në Londër, ku luhen veprat e Shekspirit.
Gjatë gjithë jetës së tij artistike ai është karakterizuar jo vetëm nga talenti, por edhe nga puna, serioziteti, përkushtimi ndaj çdo roli, gjë që e ka bërë të jetë njëri nga aktorët më të mëdhenj në Panteonin e kinematografisë shqiptare, krahas Naim Frashërit, Kadri Roshit, Sandër Prosit, Prokop Mimës, Mirush Kabashit, Reshat Arbanës, Timo Fllokos…
Bujar Asqeriu nuk është vetëm një artist, një ikonë e skenës shqiptare, por edhe një intelektual dhe qytetar i devotshëm që artin, talentin, fjalën, mendimin dhe angazhimin e tij e vuri në shërbim të Shqipërisë.
Mbi të gjitha Bujari është njeri i madh, personalitet me karakter të fortë, që nuk iu nënshtrua asnjëherë pushtetit, por ka qenë në oponencë me të gjitha qeveritë kur ka qenë fjala për artin!
Ne krenohemi me Bujar Asqeriun, jo vetëm si artist, por edhe si vlonjat, nderin e Vlorës e të Labërisë.
I uroj Mjeshtrit edhe 100 vite të tjera, plot produktivitet në skenën shqiptare!