Të paktën 304 persona kanë vdekur, mbi 1,800 janë të plagosur dhe qindra të tjerë rezultojnë të zhdukur pasi Haiti u godit nga një tërmet me magnitudë 7,2 të shkallës Rihter që shkatërroi kishat, hotelet dhe shtëpitë.
Tërmeti tragjik i së Shtunës, i cili goditi jug-perëndimin e vendit në orët e para të mëngjesit me kohën lokale, u ndje në të gjithë Karaibet dhe ringjalli kujtimet e dhimbshme të tërmetit shkatërrues të vitit 2010 që vrau më shumë se 200,000 njerëz. Kryeministri, Ariel Henry, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme një mujore
Henry tha se nuk do të kërkonte ndihmë ndërkombëtare derisa të dihej shkalla e dëmit. Ai tha se disa qytete u shkatërruan pothuajse plotësisht
Presidenti amerikan, Joe Biden, autorizoi një përgjigje të menjëhershme dhe emëroi Samantha Power si zyrtare e lartë që koordinon përpjekjen e SHBA për të ndihmuar Haitin. USAID do të ndihmojë në vlerësimin e dëmeve dhe do të ndihmojë në rindërtimin, tha Biden, i cili i quajti Shtetet e Bashkuara një “mik të ngushtë dhe të qëndrueshëm për popullin e Haitit”.
Një numër në rritje i vendeve ofruan ndihmë, përfshirë Argjentinën dhe Kilin, të cilat thanë se po përgatitej të dërgonte ndihma humanitare. “Edhe një herë, Haiti është goditur nga fatkeqësitë,” tha presidenti kilian, Sebastián Piñera.
Haiti është ende në përpjekje për t’u rimëkëmbur nga dëmet e tërmetit shkatërrimtar të vitit 2010 e më pas një uragani të fuqishëm në 2016.
Ndërkohë pak kohë më parë vendi u trondit sërish, pasi u ekzekutua në rezidencën e tij private presidenti, Jovenel Moise./ Gazeta SHQIP