Një javë pas plagosjes me armë zjarri të çiftit të bashkëshortëve Preng dhe Antoneta Paluca, në afërsi të banesës së tyre në Kamëz, policia nuk ka mundur të sigurojë ende prova të mjaftueshme për të identifikuar autorët, si dhe të zbulojë motivin e ngjarjes.
Mësohet se përgjatë rrugicës që të çon për në shtëpinë e tyre, ndodheshin vetëm 4 kamera sigurie të vendosura në biznese.
Pas kqyrjes, ka rezultuar se asnjëra prej tyre nuk ka pasur fushëpamje të qartë e të fiksonte targën e mjetit të autorëve, ç’ka mund të ndihmonte hetuesit për të rënë në gjurmët e tyre. Ky veprim, ka ngritur dyshimet e policisë, agresorët e kanë vëzhguar më së miri zonën.
Nga hetimet ka rezultuar se në mjetin e autorëve ndodheshin dy persona, njëri prej të cilëve ka qëlluar me pistoletë.
Por, për të zbardhur dinamikën e plotë, policisë i është dashur të marrë dëshminë e 50 vjeçarit Preng Paluca dhe gruas së tij. Ai ka treguar se sapo ka hapur derën e makinës për të shkuar në banesë, autori i është afruar duke i vendosur dorën në xham dhe e ka qëlluar.
Në atë moment, ka shpjeguar Paluca, ka tentuar t’i heqë armën, por duke u hasur në rezistencën e tij, autori është larguar.
50 vjeçari mori vetëm një plumb. Ai e preku fillimisht në dorë, ndërsa predha i përshkroi në brinjë. E njëjta predhë kapi në këmbë edhe bashkëshorten e tij, Antoneta Palucën, 41 vjeçe.