Nga Ilir Nikolla
Muajin e fundit, si pjesë e përpjekjeve për ta paraqitur Firencen si të rinovuar në këtë epokë të re të turizmit, u krye restaurimi i skulpturave të shumëpërmendura të Llozhës së Lanzi-ve, ose Llozhës së Piazza Signoria-s, siç njihet gjerësisht. Ia ka vlejtur barra qiranë, me pak përpjekje, skulpturat i janë afruar edhe më shumë shkëlqimit origjinal, qoftë ky 2000 vjeçar, 500 vjeçar apo pak më shumë se 100 vjeçar, siç është e vetmja skulpturë moderne e llozhës, ajo “Rrëmbimi i Poliksenës” i Pio Fedit, e 1866-s.
Sa e ndryshon pamjen pak shpluhurim!
Në skulpturën mbi 2 mijë vjeçare, “Menelau që mban trupin e Patroklit”, dallojmë aq qartë “pieta”-në që gjejmë tek Mikelanxhelo, tek “Sabina” romane gjejmë aq shumë ngjashmëri me mitologjinë shqiptare për pamjen e gruas, sa na duket se rrëfen për gratë e Bregut të Drinit, kurse tek dy luanët e hyrjes së Llozhës, njëri romak e tjetri i Rilindjes, mund të bëjmë fare mirë një esse mbi zhvillimin e artit nën hijen – e në kontrast – me pushtetet e kohës.
Në radhë për të hyrë në “çardakun” e zotërinjve (s’e di ku tjetër mbahet radhë për të hyrë “jashtë”) s’e fsheh dot se m’u kujtuan edhe Budat e famshme të Afganistanit. Ato s’janë më, për shkak të talebanëve.
Talebanët janë rikthyer, me mesazhin e fortë se e keqja gjithmonë kthehet, kurse e mira rilind shumë rrallë, e thuajse përherë, nga një frymëzim hyjnor e jo nga ndonjë cikël pushteti tokësor. Shpluhurosja e skulpturave në Llozhën qendrore të Firences është një tjetër ironi e kohëve moderne, se punët e mira s’vijnë me tamtam-e dhe kanë nevojë për përkujdesje të përhershme.
Përndryshe, “talebani” mund t’ja behë nga kudo, nga sektet ekstreme të kishave, nga shpellat e mafias apo edhe nga tryezat e disa kollarexhinjve që vjedhin vota…e më pas burgosin opozitarë e shpërndajnë tendera për të xhiruar para cash për xhepat e tyre.