Nga Red Varaku
Edi Rama po e paraqet veten si “shpëtimtarin” e “afganëve”që do të qëndrojnë përkohësisht në Shqipëri.
Në daljet e tij qesharake plot pompozitet provincial në media prestigjioze të botës, ai po prezantohet si një udhëheqës i nivelit të Biden, Merkel, Johnson , Putin apo Macron, me të cilët nuk shikon kurrfarë diference krahasuar me veten.
Madje është rast unik në botë për nga banaliteti i gjësë, sepse askush tjetër nga lojtarët me peshë në të gjithë botën ,nuk e ka marrë këtë protagonizëm idiot.
Të gjithë po ofrojnë ndihmën e tyre me përulësi dhe po e shikojnë këtë ngjarje si një fatkeqësi të rëndë për popullin afgan dhe jo si një mundësi për të papagalluar nëpër intervista të blera me paratë e popullit më të varfër në Europë.
Por, e vërteta është që kjo është vërtetë një krizë, por është një krizë për popullin afgan dhe jo për ne dhe aq më pak për Edi Ramën.
Në këtë histori krahasuar me shtetet e tjera ne jemi bishti i kavallit dhe kontributi ynë është simbolik ashtu siç ishte dhe në Afganistan.
Dihet që ajo që mund të ofrojmë ne është vetëm një hapësirë akomoduese e përkohshme për të cilat madje do na paguajnë, ndërsa për shpenzimet dhe garancitë e tjera për afganët kujdeset aleanca.
Rama nuk ka asgjë në dorë në këtë situatë, aq më pak të refuzojë një kërkesë të SHBA, aleatit tonë më të rëndësishëm strategjik.
Kuptohet në kuptimin formal bëhet një kërkesë ashtu siç është bërë, por përgjigja e kësaj kërkese është gjithmonë miratuese.
Kështu ka qenë gjithmonë dhe kështu do të jetë !
Kjo sepse Shqipëria sot është një shtet i cili duhet të respektojë vendimet e aleancës ku bën pjesë prej së cilës më shumë ka marrë se ka dhënë dhe kjo nuk ka asgjë për tu merakosur.
Kemi pranuar me vullnetin tonë të jemi pjesë e këtyre strukturave dhe për pasojë do marrim përsipër edhe përgjegjësitë që na takojnë.
Është fat që na u dha kjo mundësi për të treguar sadopak besnikërinë dhe mirënjohjen tonë të madhe ndaj aleancës për mbështetjen e saj vendimtare për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.