Krimi i organizuar, papunësia dhe korrupsioni janë tre nga kërcënimet më të mëdha që qytetarët shohin për sigurinë e Shqipërisë.
Në këtë përfundim ka arritur një studim i realizuar nga Fondacioni gjerman “Fridrich Ebert”, i cili thotë se shumica e qytetarëve të anketuar në të gjithë bashkitë e vendit për Barometrin e Sigurisë renditën si kërcënimet më të mëdha ndaj sigurisë së Shqipërisë krimin e organizuar, papunësinë dhe korrupsionin.
Sipas studimit, dy të tretat e qytetarëve mendojnë se policia nuk i respekton të drejtat e njeriut në punën e saj, ndërsa 3/5 e qytetarëve mendojnë se Policia e Shtetit nuk i trajton të gjithë qytetarët në mënyrë të barabartë.
Mbi 70% e qytetarëve mendojnë se vetëm një numër i vogël njerëzish punësohen në institucionet e sigurisë vetëm në bazë të meritës dhe aftësive.
Ndërkohë, studimi konkludon se qytetarët shqiptarë e shohin korrupsionin dhe krimin e organizuar si pengesat kryesore për integrimin në BE.