Zakonisht premtimeve të fushatës u del boja gjatë qeverisjes, por zotimit të Edi Ramës se Francesco Becchetti nuk do të merrte asnjë lek i ka dalë boja ende pa u bërë qeveria e re. Pagesa ka nisur tashmë. Biznesmeni italian ka marrë milionat e para dhe mënyra se si paratë e taksapaguesve shqiptarë po transferohen në llogaritë e italianit janë zbuluar nga MCN.
Bëhet fjalë për paratë e Eurocontrol që duhet të vinin në Albcontrol, por që tashmë konfiskohen rregullisht për llogari të biznesmenit që fitoi gjyqin në arbitrazh.
Çdo avion që kalon në hapësirën ajrore të Shqipërisë, paguan një tarifë të caktuar, e cila në termin teknik njihet si en-route charge, raporton MCN.
Këto tarifa, shoqëritë e fluturimit ja paguajnë Eurocontrolit në Bruksel. Më pas Eurocontrol i shpërndan ato tek vendet përkatëse në mënyrë periodike. Në rastin e Shqipërisë, Eurocontrol i derdh paratë në arkën e Albcontrol, shoqërisë shqiptare të shërbimeve të navigimit ajror.
Në vitin 2019, Shqipëria fitoi 25.3 milionë euro nga tarifa e përdorimit të hapësirës ajrore. Në vitin 2020, kur trafiku ajror u reduktua ndjeshëm për shkak të pandemisë shumë ra në 11 milionë euro. Por këtë vit, me rimëkëmbjen e industrisë ajrore, fluturimet kanë shënuar një rritje të ndjeshme dhe të ardhurat po ashtu duhet të rriteshin. Megjithatë në arkat e Albcontrol nuk po hyn më asnjë e ardhur nga tarifa e përdorimit të hapësirës ajrore.
Llogaria e Albcontrol në Eurocontrol është e bllokuar dhe prej muajsh të ardhurat që duhet ti derdheshin Shqipërisë kalojnë direkt në llogarinë e biznesmenit italian.
Shuma që i është konfiskuar shtetit shqiptar dhe ka kaluar për italianin është minimalisht 3 deri në 4 milionë euro. Llogaria e Shqipërisë në Eurocontrol do të vazhdojë të qëndrojë e bllokuar derisa biznesmeni Italian të konfiskojë të gjithë shumën e gjobës 110 milionë euro, e cila bashkë me interesat tashmë ka arritur në 120 milionë euro.
Por gjatë fushatës së 25 Prillit, kryeministri Rama zotohej se biznesmeni nuk do të merrte asnjë lek, megjithëse ishte tashmë para faktit të kryer të raportuar nga disa prej mediave më serioze.
Për herë të parë, kryeministri Rama e pranoi humbjen e gjyqit me Francesco Becchetti-n për mbylljen e Agon Channel dhe për të cilin shqiptarët do të paguajnë 110 milion euro në datën 7 Prill. Por Rama tha se kishte fituar 3 gjyqe të tjera dhe se Becchetti do të marrë, siç u shpreh Rama “atë që nuk thuhet, që mbetet pasi hahet”.
Në një përpjekje për ta politizuar çështjen, Rama u mor me reagimet e Sali Berishës dhe Ilir Metës, pasi siç tha ai patën një gëzim të neveritshëm. “Dy njerëzit më të gëzuar për për një gjyq që ne e humbëm, por pasi kemi fituar tre të tjerë me një marifetçi të paskrupullt që ju këtu e njihni mirë, ishin po këta, Ilir Meta dhe Sali Berisha, një gëzim i neveritshëm. Dhe në ndërkohë një përpjekje po kaq e neveritshme për të nxitur ata të cilët janë ndjekësit e tyre me sytë dhe me veshët top, por me mendjen tapë nga dokrrate tyre duke arritur të shpërndajnë edhe trakte natën në Tiranë se tani shqiptarët do paguajnë një gjobë 11 milion. Unë nuk mund tju them si e qysh, por ai marifetciu bashkë me Ilirin dhe Saliun do marrin atë që nuk thuhet, atë që nuk hahet, që mbetet por nuk hahet, sepse lufta kundër atij marifetçiut vazhdon dhe ai është në kërkim nga drejtësia shqiptare” tha Rama gjatë takimit me socialistët në Tepelenë.
Njësoj ishte edhe reagimi më herët, në dhjetor të 2020, kur gazeta austriake “Der Standard” raportoi se kishte nisur procesi i sekuestrimit të pronave të shtetit shqiptar për të kompensuar Becchetti-n. Rama e quajti “fake news”.
“Është e pavëretë që Becceti ka fituar. Ajo që ka bërë “Der Standard” është një shkrim skandaloz. Nuk është e rastësishme që çështja e “kazanit” që në anglisht është “fake neës” është botërore. Kalimi i lajmeve të rreme është problem global. Edhe Der Standard në këtë rast… nuk e di si ka ndodhur, apo ka qenë një mungese e verifikimit të fakteve.
Çështja nuk ka përfunduar, por palëve u është ndaluar ta komentojnë. Di që cështja nuk e mbyllur. Shkrimi Der Standard është skandaloz. Nuk mund ta them, që ka ndonjë qëllim, por është i bazuar në të pavërteta. Unë di që deri tani që flasim, për gjyqet që nuk kanë mbaruar unë di që i kemi fituar të gjitha ato me Becchetti, por për këtë që po flasim nuk ka mbaruar ende” – tha Rama.
Më herët edhe ish-Ministri i Financave, Arben Ahmetaj kishte deklaruar se Becchetti nuk do të merrte asnjë kokërr leku nga taksat e shqiptarëve, por siç duket tashmë procesi i konfiskimit të parave ka nisur dhe do të duhen shumë kohë deri sa të plotësohet shuma më e madhe që ka humbur ndonjëherë shteti shqiptar në një gjyq ndërkombëtar prej 120 milion euro