Vrasja makabre e 18-vjeçares, Marigona Osmani nga bashkëjetuesi i saj, Dardan Krivaqa, ka shkaktuar reagime të shumta në Kosovë dhe në Shqipëri. Të shumtë kanë qenë personazhet e njohur që kanë bërë deklarata të forta përmes postimeve në rrjetet sociale.
Madje disa prej tyre kanë vendosur që të rrëfejnë edhe disa histori personale të padëgjuara më parë. Një ndër ta është edhe këngëtarja e njohur, Ana Kabashi.
Kjo e fundit ishte e ftuar në “ATv” për të folur për rastin e Marigonës, Ana rrëfeu një eksperiencë të trishtë me ish-të dashurin e saj.
Këngëtarja e njohur nuk preferoi të jepte shumë detaje, por tregoi se ishte aq e verbuar nga dashuria sa arsyetonte dhe duronte çdo veprim të ish-partnerit.
“Ka marrë kohë derisa e kam kuptuar, sepse kam hyrë në atë rolin që duhem me ia dëshmu që e dua atë njeri. (…) Ndonjëherë aq shumë e do sa nuk sheh, i arsyeton ato të këqijat, tërë kohën e arsyeton. E në momentin e parë që ti ia sheh këto të këqija, mendon që diçka s’është në rregull, ngoje qetu zemrën se përnime nuk të rren kurrë. Të shkon pak gjatë por nuk je vet. Ka djem të mirë, ka çika të mira, testoje, ndaju njëherë me të dhe shikoje. Jeta vazhdon edhe tutje. Nuk ke nevojë me kalu me dikë që nuk të bënë me u ndje mirë, që të bën të ndihesh se ti je e zonja, se ti e meriton me qenë e lumtur. Më ka prekur shumë. Ka shumë këso femrash tek ne. Nuk do të thotë që tek ne femrat gjithqysh janë provokative e për atë edhe është arsyeja. Kam pasur edhe shokë të mi, kam pa statuse, bile një muzikanti tim i kam thënë largoje atë status mos ta sheh kush se marre. ‘Çika mos i këqyrni djemtë që kanë zinxhirë, se ata nuk dinë ty me të trajtu’ – kush ka qejf me u dashur me një njeri që nuk din me të trajtua, ose ku e din ti, ajo është ndjenjë dhe nuk të jep ty të drejtë me e mbyt dikë”, u shpreh Ana Kabashi.