Skema publike e pensioneve me gjasë do të lehtësohet në vitet në vijim për shkak të ngjarjeve që po ndodhin në krahun e shpenzimeve.
Pensionistet e rinj vitit pas viti po përfitojnë pagesa më të ulëta. Sipas të dhënave zyrtare Nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore (ISSH) në 6-mujorin e parë të këtij viti mbi 12 mijë persona plotësuan kushtet për pension pleqërie.
Masa e pensionit mesatar për grupin e ri të pensionisteve rezultoi 14,900 lekë ose 134 lekë (-1%) më e ulët se masa mesatare e pensioneve të reja, që u lidhën në vitin 2020. Edhe gjatë vitit të kaluar pensioni mesatar në qytet shënoi ulje për herë të parë që nga viti 2000.
Ekspertët nga Instituti i Sigurimeve shoqërorë pohojnë se pensionet e reja kanë nisur të reflektojnë problematikën e tranzicionit sidomos punës në të zezë. Për personat, që kanë paguar sigurime në mënyrë të rregullt dhe plotësojnë kriteret, do të kenë të ardhura më të larta, se me ligjin e vjetër që zbatohej para vitit 2014. Por personat, që nuk kanë paguar kontribute, duket se do të vuajnë pasojat gjatë pensionimit, pasi pagesat me reformën e re të pensioneve, që nisi të zbatohet pas vitit 2014, bëhen në bazë të kontributeve.
Të ardhurat e pensionistëve u kufizuan nga reforma e vitit 2014 nëpërmjet dy ndërhyrjeve kryesore. E para, ndryshoi formula e llogaritjes, duke e modernizuar skemën sipas parimit se ai që kontribuon më shumë, fiton më shumë.
E dyta, ligji i ri i vitit 2014 e ndalon rritjen e pensioneve, duke marrë në konsideratë vetëm indeksimin e tyre të përvitshëm, me nivelin e inflacionit. Reforma për të cilën u punua një dekadë dhe nisi të zbatohej në fillim të vitit 2015 pati në themel rritjen e viteve të kontributit për sigurimin shoqëror nga 35 në 40 vjet deri në vitin 2025 dhe rritjen graduale të moshës së daljes në pension për gratë me dy muaj në vit, për të arritur në 63 vjeç në vitin 2032.
Zhvillimet demografike sinjalizojnë rritje të numrit të pensionistëve, duke i bërë ata gjeneratën e së ardhmes, por edhe pjesën më të varfër të popullsisë. Pensioni mesatar në vend është shumë më pak se gjysma e pagës mesatare, raport i cili shënjestron varfërinë e moshës së tretë. Vështirësitë do të rriten në të ardhmen, ndërsa Banka Botërore sugjeron nxitjen e kursimeve vullnetare në skema private dhe luftën ndaj informalitetit.
Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2021 rreth 668,890 persona përfituan pension, shumica e tyre pension pleqërie, me një shtese prej 11 mijë personash që nga 6 mujori i parë i vitit 2020. Kjo është shtesa më e ulët në vitet e fundit pasi për shkak të pandemisë Covid-19, ku shume pensione u shuan për shkak të rritjes së vdekshmërisë. Zakonisht shtesa mesatare neto vjetore është me 15-16 mijë pensionistë në vit.
Personat, që dalin në pension pas vitit 2015, për një periudhë afatmesme përfitojnë rritje më të moderuar të masës së pensionit, krahasuar me pensionistët të cilët dolën në pension para këtij viti, për shkak të ndryshimit të parimit, nga pension solidar në pension në bazë të kontributeve.