Deputeti i zgjedhur i PD-së, Ervin Salianji ka kundërshtuar riemërimin e Niko Peleshit si ministër të Mbrojtjes.
Sipas tij, Peleshi, i cili akuzohet për helmimin e qytetarëvë gjatë kohës që ushtronte detyrën e ministrit të Bujqësisë, duhej të ishte sot para drejtësisë, dhe jo në zyrat më të larta të shtetit shqiptar.
Salianji ka sjellë në vëmendjen e publikut skandalin ku rezulton i përshirë ministri, për të cilin ka edhe një dosje në SPAK.
Kujtojmë se Peleshi, rrëzoi një urdhër të AKU dhe lejoi të hidhej në treg 4600 kg kimikat “Silicon Mix”, një kimikat i konsideruar i rrezikshëm nga ekspertët
“Në qeverinë e ricikluar ofrohet dhe mbrojtje për Niko Peleshin! Prej 2 vitesh, ndaj tij qëndron një dosje në SPAK, për përdorim pesticidesh të rrezikshme. Një sasi e madhe pesticidi me emrin ‘Silicon Mix’ shitej në Shqipëri si pleh kimik, gjatë kohës kur Peleshi ishte Ministër i Bujqësisë.
‘Silicon Mix’ ishte bllokuar nga AKU, por me një udhër të ish-ministrit Niko Peleshi, bllokimi u hoq dhe në treg u shitën 4600 kilogram kimikat”, shkruan Salianji.
Më tej deputeti i PD, ngre pyetjen: Si mundet të bëhesh Ministër, kur ke helmuar qytetarët me pesticide si Silicon Mix? Sipas tij, Peleshi nuk duhet të ishte promovuar si ministër, por duhet të merrej si i pandehur nga organet e drejtësisë.
“Skandali është evidentuar nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit, i cili akuzon ish-ministrin se ka shkelur ligjin. Si mundet të bëhesh Ministër, kur ke helmuar qytetarët me pesticide si Silicon Mix? Peleshi sot duhet të ishte i pandehur dhe me mbrojtës para gjykatës por mbrohet dhe promovohet si Ministër i Mbrojtjes. Niko Peleshi duhet të dalë sa më parë para drejtësisë për helmim të produkteve ushqimore”, mbyll reagimin e tij Ervin Salianji.
Për çfarë akuzohet konkretisht Peleshi?
Bëhët fjalë për një ngarkesë prej 4600 litrash nga ky kimikat, i cili fillimisht ishte bllokuar nga AKU në tetor të 2017. AKU, pasi bllokoi ngarkesën, gjobiti me 60 000 mijë lekë subjektin që furnizohej me “Silikon Mix”.
Por përmes një urdhri të dyshimte, dhe sipas KLSH në shkelje me ligjin, ministri i asaj kohe Niko Peleshi urdhëroi zhbllokimin e ngarkesës dhe lejoi futjen në treg të tij.
Përveç faktit se ish-ministri ka shkelur ligjin, duke lejuar shitjen e një insekticidi të kamufluar si pleh kimik, toksikologët thonë se “Silikon Mix” mund të shkaktojë deformime të ndryshme të ADN-së së njeriut, ndryshime të cilat më pas shoqërohen me keqformime fizike dhe mentale tek foshnjat e sapo ardhura në jetë./Gazeta SHQIP