Nga BUJAR LESKAJ
Ky shkrim vjen si pjesë e dytë e shkrimit “Si do t’i paguajmë borxhet e Shqipërisë?” të datës 6 gusht 2021, botuar në gazetat “Panorama”, “Sot” dhe “Rilindja Demokratike” dhe trajton papërgjegjshmërinë ekstreme të sektit Rama në këto tetë vite të keqqeverisjes së tij, në përballimin e sfidave dhe problemeve madhore të vendit, si shëndoshja e financave publike dhe mirëmenaxhimi e ulja e borxhit të tejfryrë publik.
Në vitin 2010, borxhi publik i fqinjit tonë, Greqisë, i rritur frikshëm nga politika qever- itare që favorizonin shpenzime zgjedhore, synonin fitim të simpatisë së qytetarëve përmes një politikë absurde pagash buxhetore dhe që zgjeruan pa cak administratën shtetërore (një vend me 9 milionë banore kishte 1 milion të punësuar në administratën shtetërore!), hyri në krizë. Kjo krizë rrezikoi rrënimin e ekonomisë së Greqisë, daljen nga euro dhe madje kërcënoi me efekt domino falimentime bankash dhe rënie në pikiatë të euros për të gjitha vendet e Eurozonës.
Në librin biografi “Angela Merkel Kancelarja dhe bota e saj” të shkrimtarit Stefan Kornelius (përkthim nga gjermanishtja, Shtëpia Botuese “Koha”, Prishtinë), përpjekjeve të Merkel për të mposhtur kërcënimet ekonomike për Gjermaninë dhe të gjithë Europën e Bashkuar nga kriza e borxhit publik grek, iu kushtohet një kapitull i tërë, me titull “Kriza e madhe-Beteja e Angela Merkel për Europën” (libri, faqe 249-314). Në një pasazh, libri cilëson se: “Gjatë krizës, Merkel vazhdimisht u konfrontua me një kërkesë të njëjtë: eurobonot do të ndihmonin për të dalë nga balta. Një bono për të gjithë kjo do t’ua bënte jetën gjermanëve më pak të shtrenjtë dhe grekëve pak më të durueshme.
Logjika e Merkel ishte: Kemi valutën të njëjtë, por jo politikën ekonomike. Eurobonot kanë kuptim nëse të gjitha qeveritë kujdesen që paratë e marra me çmim të njëjtë t’i përdorin me arsye dhe në mënyrë të kontrolluar”. (“Angela Merkel- Kancelarja dhe bota e saj”, fq. 277, paragrafi i parë). Duke lexuar këtë paragraf, m’u kujtua qershori 2020, kur morëm eurobondin e katërt me vlerë 650 milionë euro.
Sekti Rama në pushtet u mburr që mori borxh në tregjet ndërkombëtare, mori eurobono. Sikur të përbënte një sukses të jashtëzakonshëm. Në fakt, ishte thjesht marrja e një borxhi të ri për të paguar një borxh më të vjetër, eurobondin e tretë, të emetuar në vitin 2015. Si dhe për të përdorur paratë e tjera të mbetura në mënyrë të pakontrolluar, sikurse shpreh shqetësimin edhe Shpëtimtarja e Greqisë, Merkel.
Duke respektuar në maksimum sakrificat e popullit mik grek dhe përpjekjet e qeverive të tij për të dalë nga dara e krizës gjatë viteve tejet të vështira 2010-2015, ngjashmëritë e frikshme të situatës së detyrimeve tona të sotme publike, me krizën e borxhit grek të viteve 2009-2018, më shtynë të përgatisja këtë shkrim. Paralelet dhe situata e ekonomisë greke në krizë të borxhit publik në vitet 2009-2018 janë shumë të ngjashme me sjelljen e qeverisë sonë në këto tetë vitet e fundit. Edhe ekonomia jonë ka një administratë publike të dominuar nga korrupsioni masiv, sikurse e kishte Greqia në vitet më të vështira të krizës së saj 2009-2010.
Situata me borxhin publik në Greqi na jep një tablo shumë të qartë, se si krizat e thella ekonomike që e çojnë vendin në kolaps, janë rezultat i disa faktorëve të përbashkët, të tillë si (i) keqadministrimi i financave publike; (ii) niveli i deficitit fiskal që nuk vlerësohet realisht, duke sjellë humbjen e besueshmërisë së Shtetit; (iii) qeveria që nuk bën përpjekje të mjaftueshme dhe sistematike për të kontrolluar shpenzimet publike, për të menaxhuar evazionin e lartë fiskal dhe për të luftuar korrupsionin; (iv) sistemi administrativ dhe politik qeverisës, i paaftë për të kuptuar rëndësinë e zgjidhjes së problemeve madhore ekonomike të vendit; (v) hezitimi për të ndërmarrë reforma dhe masa të thella legjislative, si dhe (vi) procese zgjedhore që zhvillohen nga partia në fuqi, duke pasur qëllim të vetëm fitoren, duke i përshtatur programet elektorale me pritshmëritë e votuesve, dhe jo me nevojat reale dhe gjendjen aktuale të ekonomisë së vendit. Po shtjelloj më tutje disa nga ngjashmëritë më shqetësuese.
NGJASHMËRIA E PARË: RRITJA E MASËS SË BORXHIT
Në vitin 2001, në kohën kur Greqia hyri në zonën euro, borxhi publik i saj ishte në nivelin 86 për qind të GDP-së (ose PBB-së, Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit), që për një vend të zhvilluar konsiderohej i përballueshëm. Gjatë viteve 2002-2008, ky borxh u rrit gradualisht, por pa kaluar kufij të rrezikshëm. Me shpërthimin e krizës botërore ekonomike të viteve 2008-2009, borxhi grek u përkeqësua, duke arritur në 125 për qind të GDP-së në vitin 2009 (ht- tps://www.thebalance.com/what-is-the-greecedebt-crisis-3305525)
Sikurse e pohojnë shumë studime nga specialistë të njohur grekë dhe ndërkombëtarë (https://www.investopedia.com/articles/personal-finance/061115/origins-greecesdebt-crisis.asp; http://em-al.org/en/the-greek- government-debt-crisis-an-overview-by-nikolaos-bakirtzis-august-2020/), për afro dy dekada me radhë (1993-2009), Greqia jetoi përtej mundësive të veta ekonomike. Borxhi publik u rrit në nivele të pajustifikueshme. Në periudhën 2001–2009, vëllimi i huave publike ndërkombëtare të Greqisë u shtua mesatarisht me 30 për qind çdo vit. Ky vëllim, nga 22 miliardë dollarë në vitin 2001, arriti në 230 miliardë dollarë në vitin 2009, ose sa 125 për qind e prodhimit kombëtar grek (PBB-së).
Kriza që shpërtheu në vitin 2010, bëri që niveli i borxhit të tejkalonte nivelin maksimal të qëndrueshëm për një vend të zhvilluar, të përcaktuar nga ekonomistët e FMN-së në masën 120 për qind të GDP-së. Sipas raportit “Programi i Përshtatjes Ekonomike për Greqinë”s, i botuar nga Komisioni Europian në tetor 2011, niveli i borxhit pritej të arrinte në 198 për qind në vitin 2012, nëse marrëveshja e propozuar për ristrukturimin e borxhit nuk zbatohej. Në fakt, niveli i borxhit, pasi kërceu në nivelin 189 për qind në vitin 2011, u rrit vetëm 162 për qind në vitin 2012 (https://tradingeconomics.com/greece/government-debt- to-gdp).
Ngjashmëria e fortë me Shqipërinë ka të bëjë me faktin se në vitin 2013, tetë vite më parë, borxhi ynë publik ishte 68 për qind e GDP-së (Prodhimit të Përgjithshëm Bruto- PPB). Niveli paraqitej i lartë dhe shqetësues. Megjithatë, tetë vite më vonë, në qershor 2021, qeveria e çoi borxhin në 82.4 për qind të PBB-së. Nëse këtij detyrimi i shtojmë edhe 11.6 për qind të PBB-së si borxh i fshehur, i cili, sipas analizës së “Open Data Albania” (http://ndiqparate.al/2021/06/28/koncesionetdhe-ppp-si-detyrime-kontingjente-jashte-bilan- cit-qeveritar-2020-shqiperia-dhe-vendet-eu/), rezulton nga detyrimet e rreth 80 kontratave koncesionare të formës PPP të lidhura në vitet 2014-2020, borxhi ynë publik rritet në 89.5 për qind të PBB-së.
Nëse i shtojmë edhe minën me sahat të 446 milionë eurove të detyrimeve nga gjyqet ndërkombëtare (humbja e tanishme me vendim të formës së prerë në çështjen “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë” (çështja Becchetti)-108 milionë euro; humbjet e pritshme të çështjeve “Durrës Kurum Shipping sh.p.k dhe të tjerë vs Shqipërisë-100 milionë euro, “Arka Energy B.V vs Shqipërisë- 110 milionë euro, “Costruzioni DONDI&KUBOTA CO. vs. Shqipërisë- 90 milionë euro dhe “JV Copri Construction Enterprises e të tjerë vs Shqipërisë-30 mil- ionë euro), borxhi publik i Shqipërisë shtohet me 23.4 për qind, ose mbi 2.4 miliardë euro! Ose 300 milionë euro borxh i rritur çdo vit gjatë periudhës 2014-2021.
NGJASHMËRIA E DYTË: Deficiti buxhetor
Deficiti buxhetor i Greqisë në proporcion me GDP-në ishte 3.7 për qind në vitin 2000. Përgjatë dekadës së parë të këtij shekulli, deri në vitin 2009, ai u rrit dukshëm, por kjo shtesë u maskua me kujdes nga statistikat zyrtare greke. Vetëm në fund të vitit 2009, ministri i atëhershëm i Financave, George Papaconstantinou, pranoi se deficiti i Greqisë ishte më i fryrë nga sa raportonin të dhënat dhe mund të ngjitej në 12.5 për qind të PBB-së (Prodhimit të Brendshëm Bruto) gjatë atij viti (2009). Kjo erdhi si rrufe në qiell të pastër.
Menjëherë, më 8 dhjetor 2009, kompania e vlerësimeve të borxheve shtetërore dhe të korporatave të mëdha “Fitch Ratings” e uli vlerësimin e borxhit të Greqisë në “BBB+” nga “A-”, duke shënuar herën e parë në një dekadë që Greqia binte poshtë statusit “A”. Gjatë javëve në vijim, një numër agjencish të tjera vlerësimi gjithashtu ulën vlerësimet e tyre të kreditit për Greqinë, nga frika se rimëkëmbja e saj ekonomike po humbiste bazën e saj, financimet e huaja (https:// www.investopedia.com/articles/invest- ing/070115/understanding-downfall- greeces-economy.asp).
Te ne, në vitin 2019, deficiti ishte në nivelin 1.9% e PBB-së. Një vit më vonë, për shkak të tërmetit shkatërrues dhe pandemisë, ai u rrit me 3.5 herë në 7%. Ky është niveli më i lartë i deficitit që nga viti 1995, kur Ministria e Financave raporton të dhënat makroekonomike. Me uljen e darës së koronavirusit dhe rifillimin gradual të aktivitetit ekonomik, megjithë kufizimet, parashikimet e FMN-së dhe të organizatave të tjera ndërkombëtare që na vëzhgojnë, ishin që qeveria do të provonte ta ulte deficitin rekord të vitit 2020. Por kishin harruar se viti 2021 ishte vit zgjedhor.
Në të kundërt, qeveria e rriti deficitin buxhetor në 7.9 për qind të PBB-së ose në shifrën rekord 982 milionë euro. Qeveria ndryshoi në korrik 2021 për herë të katërt Buxhetin e Shtetit, duke bërë ndryshime drastike në thuajse çdo zë të parashikuar më parë. 5.5. miliardë lekë më shumë morën rrugët e reja, ose më mirë asfalti elektoral, si dhe 7.4 milionë euro mori Bashkia Tiranë për të ndërtuar Teatrin e ri Kombëtar, pas prishjes jokushtetuese që i bëri ndërtesës së Teatrit Kombëtar.
Me aktin normativ të korrikut 2021, sekti Rama i hoqi kujdesit parësor shëndetësor 1,3 miliardë lekë, arsimit bazë 1 miliard lekë, arsimit të mesëm 500 milionë lekë dhe arsimit profesional 290 milionë lekë. Pakësoi po ashtu emergjencat civile, pavarësisht detyrimeve të prapambetura në vite. Fonde iu hoqën edhe thuajse të gjitha institucion- eve të drejtësisë në vend: si KLGJ, KLP, SPAK, Gjykatës Kushtetuese, Shkollës së Magjis- traturës dhe Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Deficiti buxhetor i tejkaloi 120 miliardë lekë, një shifër e paparë ndonjëherë në shpenzimet vjetore qeveritare. Pesha e borx- hit të jashtëm u rrit më tej, duke i shtuar rreziqet që i kanoseshin buxhetit të Shtetit dhe financave publike.
NGJASHMËRIA E TRETË: KORRUPSIONI GALOPANT
Sipas studiuesve grekë dhe britanikë (ht- tps://voxeu.org/article/cutting-corrup- tion-tax-way-out-greece), fatkeqësisht, kriza ekonomike e borxhit publik në Greqi ishte shumë serioze për t’u menaxhuar nga shteti i saj, i dobësuar shumë nga korrupsioni. 70% e ekonomisë greke varej dhe varet nga konsumi privat, duke mos pasur asnjë degë industriale me vlerë ekonomike, që të jetë konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Një problem që duhej trajtuar seriozisht nga administrata publike greke ishte korrupsioni. Prej vitesh, “Transparency International” shprehej se sistemi i degraduar shëndetësor dhe zyrat e lejeve të ndërtimit dhe zyrat e tatimeve ne Greqi janë të prekura fort nga korrupsioni. Sipas një studimi të Organizatës për Zhvillim e Bashkëpunim Ekonomik (OECD), shpenzimet e sektorit publik shëndetësor në Greqi mund të ishin 30% më të ulëta, nëse do të menaxhoheshin me transparencë dhe logjikë ekonomike ((http://em- al.org/en/the-greek-government-debt-crisis-an- overview-by-nikolaos-bakirtzis-august-2020/),
Te ne, sipas Raportit mbi klimën e investimeve në Shqipëri 2020 të Departamentit Amerikan të Shtetit,(https:// www.state.gov/reports/2020-investment-climate-statements/albania/ ) “korrupsioni endemik (në sistem) vazhdon të minojë sundimin e ligjit dhe të rrezikojë zhvillimin ekonomik të Shqipërisë”. Raporti përmend që investuesit e huaj theksojnë korrupsionin veçanërisht të shtrirë në gjyqësor, mungesën e transparencës në prokurimet publike dhe zbatimin e dobët të kontratave, si disa nga problemet më të mëdha tek ne.
Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH) cilëson se perceptimi mbi korrupsionin vazhdon të përkeqësohet. Shqipëria ka rënë shtatë pozicione në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit të organizatës Transparency International për vitin 2020, duke u renditur e 106-a nga 180 vende. Së bashku me Maqedoninë e Veriut, ajo regjistron treguesin më të ulët në Ballkan. DASH konkludon se Shqipëria është ende një nga vendet më të korruptuara në Europë, sipas Transparency International dhe vëzhguesve të tjerë ndërkombëtarë.
Në korrik 2020, Indeksi vjetor i Institutit të Bazelit për Qeverisjen e renditi Sh- qipërinë të dytën në Europë dhe të 44-tën në botë për rrezikun e pastrimit të parave (ht- tps://baselgovernance.org/sites/default/files/ 2020-07/basel_aml_index_2020_web.pdf) e rreziqet ligjore e financiare.
NGJASHMËRIA E KATËRT: Shpenzimet faraonike greke në Olimpiadën e Athinës 2004 dhe flirtimi fatal me PPP-të (për Shqipërinë).
Olimpiada e Athinës 2004 kushtoi gati 11 miliardë dollarë sipas kursit aktual të këmbimit, dyfishi i buxhetit fillestar të saj. Sipas profesor Ross Buckley në studimin e tij “Arsyet e vërteta pas krizës greke: ineficiencë dhe deficit i lartë buxhetor”, “Shpenzimet e Olimpiadës së Athinës në vitin 2004 ishin nëntë herë më të mëdha se sa ato të Olimpiadës së Syndey-t në Australi katër vjet më parë” (https://www.clmr.unsw.edu.au/article/prudential-regulation/real-reasons-behind-the-greek- crisis%3A-inefficiency-and-a-fudged-budgetdeficit). Ndërkohë, shifra e Olimpiadës greke nuk përfshin projektet kryesore të infrastrukturës, të cilat përfunduan me kosto të fryra. Vetëm fatura e sigurisë së ekipeve dhe punëve për Olimpiadën ishte më shumë se 1.2 miliardë dollarë.
Andrew Zimbalist, një ekonomist amerikan që studion ndikimin financiar të ngjarjeve kryesore sportive, u shpreh se “edhe pse është e vështirë të argumentohet që Lojërat Olimpike ishin një faktor i rëndësishëm i shpërthimit të krizës së borxhit publik në Greqi, pa dyshim ato kontribuuan në përkeqësimin e situatës me borxhin publik. Objektet e zbrazëta sportive ose të papërdorura janë një problem dhe kostot e mirëmbajtjes dhe funksionimit vazhdojnë të imponojnë një barrë për shtetin grek” (https:/ /economictimes.com/news/international/did- 2004-olympics-spark-greek-financial crisis/arti- cleshow/6009043.cms? utm_source=contentofinterest&utm_medium= text&utm_campaign=cppst).
SHQIPËRIA: FLIRTIMI FATAL ME PPP-TË
Harxhet për të riparuar pasojat e tërmetit shkatërrues të 26 nëntorit 2019 nga Buxheti i Shtetit dhe kostot për daljen nga dara e krizës ekonomike të shkaktuar nga pandemia, kanë kontribuar në këto dy vite e gjysmë me vetëm 480 milionë euro në shtimin e borxhit. Pjesa tjetër, mbi 1.65 miliardë euro, është produkt i rendjes së çmendur pas kontratave koncesionare PPP në vitet 2014-2021, një aventurë tejet e rrezikshme për financat tona publike, e cila ende nuk duket se ka të mbaruar.
Me PPP-të, ekonomia jonë ka hyrë në një spirale dhe territor të panjohur në tre dekadat pas komunizmit. Edhe pse rritja e huamarrjes ishte e domosdoshme, për shkak të dy fatkeqësive të njëpasnjëshme, tërmetit shkatërrues dhe pandemisë nga Covid-19, sikurse e pamë më lart, shpenzimet e rritura nga këto dy dukuri nuk përbënin as edhe një të katërtën e borxhit të shtuar në tetë vitet e fundit. Edhe në periudha të mira ekonomike gjatë viteve 2014-2021, qeveria e sektit Rama nuk ia doli ta ulë borxhin. Ai mbeti në fund të vitit 2019 në rreth 70 për qind të PBB-së (prodhimit kombëtar), duke përfshirë edhe detyrimet e prapambetura, ndërkohë që për një vend me nivel të ulët konkurrueshmërie si Shqipëria, niveli i qëndrueshëm i borxhit publik duhet të jetë maksimumi 60 për qind i PBB-së.
Borxhi i lartë, i pamenaxhuar për t’u ulur në tre vitet e mira nga të pesë vitet 2014-2019, solli të mos kemi një paketë të madhe qeveritare, mbështetëse për të përballuar pandeminë. Sipas FMN-së, kjo paketë në fakt ishte më e ulëta në Europë (https://www.imf.org/en/ News/Articles/2020/09/24/na092820-central- eastern-southeastern-europe-after-covid-19-se- curing-recovery-wise-public-investment). Një mbështetje e tillë e ulët nuk arriti të ndalonte as humbjen e vendeve të punës në 6 muajt e parë të vitit të kaluar, me 50 mijë të punësuar më pak.
Të dyja programet e kredive të buta, të quajtura “Garancia Sovrane 1 dhe 2”, nuk e ndihmuan realisht biznesin. Ato u zbatuan në gjysmën e fondeve të dhëna për to dhe prej tyre përfituan kryesisht kompanitë e mëdha dhe oligarkët. Thënë ndryshe, kompanitë e prekura më pak ose asfare nga pandemia. Në tetë vitet e fundit, sekti “Rama” hyri në një marrëdhënie të rrezikshme me projektet-koncesione të Partneritetit Publik-Privat (PPP). Këto projekte përbëjnë borxh të fshehur, pasi financat tona publike, në kundërshtim me standardet e OECD-së dhe rekomandimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe BE-së, llogarisin vetëm shumën që duhet paguar në vitin korrent buxhetor.
Sikurse e përmenda në shkrimin e datës 6 gusht, detyrimet jashtë bilancit për PPP-të për periudhën e mbetur janë afro 10 për qind e PBB-së, ose tri herë më shumë nga Sllovakia, shteti i dytë në Europë me detyrimet më të larta ndaj PPP-ve. Ndërkohë që për të gjitha shtetet e tjera europiane, ky ekspozim nuk i kalon 1 për qind të PBB-së (prodhimit kombëtar). Për këtë vit, qeveria praktikisht dyfishoi fondet buxhetore për koncesionet e shumëdiskutuara për raportin kosto-përfitime.
Ministria e Financave dhe e Ekonomisë e ka pranuar zyrtarisht që riskun financiar të kontratave PPP, në pothuajse të gjitha rastet, po e mban Shteti ynë. Buxheti i vitit 2021 është pak të quhet një gënjeshtër e madhe. Parashikimi i të ardhurave është tejet optimist, në 28.4 për qind e PBB-së (ndonëse PBB është e një baze më të ulët nga viti 2020 i rënies ekonomike). Një nivel i tillë të ardhurash nuk është arritur as në periudhat më të mira të ekonomisë (vitet 2002-2004 dhe 2005-2008).
Sekti “Rama” ka tashmë disa vite që po ndjek këtë strategji me hile, ku parashikimet për të ardhurat mbahen qëllimisht tej mase të larta, në mënyrë që në kahun tjetër të planifikohen më shumë shpenzime. Këto shpenzime hapen një pjesë në vitin korrent (ushtrimor), për të kaluar si detyrime në vitin tjetër. Kjo, ngaqë ligji e lejon futjen në buxhet të investimeve, me kushtin që ata të kenë të paktën 20 për qind të financimeve në vitin e parë. Mirëpo, me të ardhurat që gjithnjë realizohen më pak se plani, rreziku i rritjes së detyrimeve të prapambetura sa vjen e shtohet.
Ja përse janë mbledhur një mal i pakapërcyeshëm në këto tetë vite, mbi 1.8 mil- iardë euro, ose 11.6 për qind e prodhimit kombëtar, sipas “Open Data Albania”. Sekti “Rama” u përpoq të jepte përshtypjen e rreme se të gjitha projektet e mëdha infrastrukturore që nuk u bënë në kaq vite, do të fillonin të realizohen si me magji brenda muajve të parë të vitit elektoral 2021, duke sforcuar në maksimum buxhetin e Shtetit.
PANGJASHMËRIA FATALE:
Për Europën e Bashkuar, Greqia nuk mund të futej thjesht në karantinë. Po Shqipëria? Në librin-biografi “Angela Merkel-Kancelarja dhe bota e saj” theksohet bindja e Merkel se “Greqia nuk mund të futej thjesht në karantinë, ngaqë problemi ishte ngjitës. Secili drejtues i BE-së e kishte të qartë se në fund të këtij qarku djallëzor, do të mund të pasonte falimentimi shtetëror. Greqia do të falimentonte dhe nuk do të mund t’i paguante borxhet”, (faqe 267, paragrafi i tretë). Nga ana tjetër, bankat tregtare të Greqisë ishin të lidhura shumë ngushtë me bankat e tjera të Europës, bankat gjermane, ato franceze e me radhë.
“Një falimen- tim i befasishëm do të shkaktonte jo vetëm kolaps bankar në Greqi, por do të kishte efekt dominoje përtej kufijve të Greqisë dhe pasojat do të ishin të paparashikueshme”, citon libri në faqen 268, paragrafi i parë. Këto ishin arsyet themelore pas ndihmës shpëtimtare mbi 300 miliardë euro që mori Greqia në vitet 2011-2015, të koordinuar nga Merkel. Po vendi ynë? Çfarë do të ndodhë me ne, nëse na plas tullumbacja e borxhit pub- lik të tejfryrë në dorë?
A ka ndonjë mundësi të marrë ndihma themelore Shqipëria, për qëndrueshmërinë e financave të saj publike, të katandisura si mos më keq nga arroganca dhe marrëzia e politikave ekonomike të sektit “Rama”? Përgjigjja është e prerë, JO!. Ne nuk kemi asnjë mundësi të ndihmohemi në mënyrë shpëtimtare nga Bashkimi Europian, pasi teposhtja e financave tona publike dhe e lekut nuk ngjall asnjë shqetësim në financat e Eurozonës, me përjashtim të keqardhjes së Shteteve Anëtare të BE-së, partnere të Shqipërisë. Askush nuk do mund të na shpëtojë, nëse plas kriza e borxhit publik shqiptar.
* * * Prandaj dhe duhet të ngrihemi tani, sa nuk është vonë, për të shpëtuar ne vetë fi- nancat e Shtetit tonë. (i) Flirtimi fatal me PPP-të, që po rrit borxhin e fshehur, (ii) planifikimi i shpenzimeve përtej kapaciteteve, (iii) pasiguritë e shtuara ekonomike për të ardhmen nga Covid-19 me variantin Delta dhe (iv) shthurja e financave këtë vit zgjedhor, pritet që ta çojnë borxhin në një spirale edhe me të rrezikshme vitin e ardhshëm. Vendi ynë ka hyrë në zonën e minuar të financave publike. Dhe asnjë forcë shoqërore nuk po e ngre si duhet zërin dhe nuk po reagon qartë për të mënjanuar më të keqen: rënien në gjendjen e krizës së borxhit publik grek.
Kjo situatë, në të kundërt, po lejon gjithnjë e më shumë papërgjegjshmëri nga sekti Rama, ku me sa duket, kryetari i të cilit (tashmë i thelluar në mitomaninë e tij dhe i skajshëm në format e marrëzisë së madhështisë), si lider botëror, është shumë i zënë me çështjen afgane dhe të kritikojë NATO-n dhe BE-në. Ai nuk ka kohë të merret me problemet madhore të ekonomisë dhe financave tona publike. Ky sekt tani mund të quhet pa frikë sekti i borxhit të tejfryrë publik, i cili një ditë do të pëlcasë dhe rrezikon të na shtyjë në greminë të gjithëve.