Në politikë rrugët e tyre janë të ndara. Nasip Naço si deputet i Partisë Socialiste dhe Edmond Haxhinasto jashtë parlamentit si pjesë e LSI-së, të paktën deri para 25 prillit.
Por, jashtë politikës rrugët e tyre janë bashkuar më shumë se kurrë. Dy ish-ministrat e LSI-së në kabinetin “Rama 1” kanë forcuar krushqinë, pas kurorëzimit në martesë të fëmijëve të tyre të fejuar prej kohësh.
Prej vitesh, djali i Naços, Franko është në një marrëdhënie me vajzën e Haxhinastos, Elizën, me të cilën është njohur kur ishin në shkollë.
Së fundmi, ata kanë kurorëzuar dashurinë në martesë, pas shumë vitesh bashkë, në një ceremoni buzë detit. Siç shihet nga pamjet, Eliza shfaqet shumë elegante, me një fustan madhështor e fin, flokët bjonde të lëshuara, teksa shoqërohet nga i ati, Edmond Haxhinasto.