Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, është takuar sot me homologun e tij turk, Rexhep Tayyip Erdogan, në Vilën Vahdettin në Stamboll. Ai ishte i mbyllur për median.
Vuçiç pas takimit ka thënë se kanë biseduar edhe për dialogun Kosovë-Serbi, i cili mbështetet nga Erdogan.
“Mëngjes dhe bisedë private nën pamjen e Bosforit”, ka shkruar Vuçiç në llogarinë e tij teksa ka njoftuar për takimin me Erdogan.
Ai deklaroi se me presidentin turk pos për dialogun kanë diskutuar edhe për rajonin. “Ajo që është e rëndësishme është se presidenti turk mbështet dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës dhe beson se është e rëndësishme të arrihet një zgjidhje kompromisi”, ka thënë Vuçiç.
Presidenti serb theksoi se ata biseduan edhe për investimet e reja turke në Serbi, duke shtuar se beson që deri në fund të vitit Erdogan do të shkojë për vizitë në Serbi, shkruan B92.