Kosova dhe Serbia kanë rënë dakord në Bruksel për çështjen e targave. Lajmi është konfirmuar nga zv.kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, që thotë se zgjidhja ofron trajtim të barabartë për të dyja shtetet.
Marrëveshja ka tre pika, përdorimin e mbulesave për targat respektive të të dyja vendeve, heqjen e barrikadave në veri të Kosovës dhe ngritja e një grupi pune të përbashkët me detyrën që brenda gjashtë muajve të gjejë një zgjidhje përfundimtare sa i takon çështjes së targave.
“Marrëveshja parasheh tre elemente. E para nga dita e hënë si Kosova ashtu edhe Serbia të avancojnë në përdorimin e stikersave në vend të ndërrimit të tabelave, që ishte edhe synimi i ynë të kemi trajtim të barabartë. Është e përkohshme dhe do të formohet grup punues për gjetje të një zgjedhje të përhershme për lëvizje të lirë të veturave brenda gjashtë muajve. Pika e tretë ka të bëjë me qetësimine situatës, largimin e barrikadave nga dy pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak. Sipas kësaj marrëveshje, të shtunën do të vendoset KFOR-i në pikat lartë, e pas disa orëve do të zëvendësohet Policia Speciale, që paralelisht me barrikadat do të largohen nga pikat kufitare”, tha Bislimi
Përplasja për targat ka hyrë në javën e dytë të saj dhe tensionet kulmuan në ditën e 7 dhe të 8, kur Serbia afroi në kufi me Kosovën ushtrinë dhe xhandarmërinë e saj, përfshirë avionë, helikopterë dhe tanke.