Ish-Ministrja e Jashtme, Arta Dade e konsideron një hap të largët integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Sipas saj, vendi ynë ka shumë punë për të bërë deri sa të arrijë tek ky proces.
Gjatë një interviste në emisionin “Real Story”, Dade u shpreh se nga Shqipëria nuk po largohen vetëm shtresa e varfër, por edhe ata që konsiderohen shtresa e mesme, duke përfshirë mjekët.
Këtë situatë, ish-ministrja socialiste e cilëson dramatike, ndaj më tej shtron pyetjen nëse Shqipëria është vërtetë gati për integrimin europian.
“Janë bërë tentativat për t’i zgjidhur problemet e BE, por më së pari duhet të zgjidhim problemet tona. Duhet të përgatitemi dhe të fokusohemi. S’duhet shndërruar si garë se kush përfiton nga fondet. Janë krijuar situata shumë serioze, marrëdhënia me Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut dhe Bullgarinë. Por kemi dhe tentativa të vendeve të tjera jashtë rajonit. Nëse rajoni do të ngelet peng i këtyre politikave do vuaj.
Edhe në këto rrethana duhet të konsolidohet dhe të rikthehet Ministria e Integrimit, pasi do të jetë e fokusuar në këto procese. S’ka rëndësi se 3 apo 4 shtete kanë dyshimet e tyre. Presidentja e Komisionit flet në emër të këtij institucioni. Ky komision e ka dhënë mendimin e vetë. A jemi ne gati t’i bashkohemi Europës? Unë them që kemi shumë punë për të bërë. Këtu po ikin mjekë, shtresa e mesme. Nuk është se po ikin njerëz vetëm nga varfëria.
Është dramë, sepse praktikisht po ikën truri. Duhet të përfitojmë nga instrumentet e BE. A jemi në gjendje ne që nqs kjo do shndërrohet në një garë për të marrë fonde për infrastrukturën, të rrisim cilësinë e jetës. Kjo e Reuters besoj se do ketë ndonjë notë ekzagjerimi, por mund të jetë e vërtetë” – tha Dade.