Analisti Preç Zogaj e konsideron një vendim të vështirë, por të duhurin, atë të marrë nga Lulzim Basha për pezullimin e Sali Berishës nga Grupi Parlamentar i PD-së, pas shpalljes së ish-kryeministrit “non grata” nga SHBA.
Zogaj thotë se konflikti i fundit në PD nuk ka lidhje me përplasjet e mëparshme në selinë blu, pasi për herë të parë kemi një vendim nga SHBA-të.
“Nuk paragjykoj asnjë nisëm në zbatim të statutit. Ju paraqitët një panoramë të përplasjeve në PD ndër vite. Asaj partie i anë dashur shumë vite që të pranojë diversitetin në parti. Gjithmonë ka qenë Berisha kundër…Sepse nuk pranohej diversiteti. Konflikti i ri ka një të re, është me SHBA-të. Është e pandershme që të bëjmë sikur nuk e dimë se çfarë ka ndodhur. Në kriza të brendshme s’ka ndërhyrë asnjëherë SHBA-të. Për herë të parë në një krizë të brendshme kemi SHBA-të me vendimin për shpalljen non grata për Berishën, dhe që Lulzim Basha ta largojë nga grupi. Këto janë paralajmërime. SHBA-të kanë kërkuar të bëhet kjo, në të kundërt do ketë sanksione, izolim të PD-së”, shprehet Zogaj në emisionin “Opinion”.
“Është një vendim, që ose merret nga lideri ose ai nuk është më lider. Këta janë të pandershëm me demokratët (i drejtohet Ristanit dhe Nishanit), sepse nuk e përmendin që këtë histori e ka nxjerrë shpallja non grata. Berisha ka nisur një lëvizje shpaguese. Për të shpaguar Basha vendimin që ka marrë. Nëse nuk do të kishte ndodhur kjo e SHBA-se, kurrë Lulzim Basha 100 vjet…Vendimi është i duhur, është i vështirë. Lideri merr vendime. Nëse është zgjedhur “një anëtar një vote” dhe nuk paska të drejtë, atëherë përse e keni zgjedhur”, vijon ai.