Të gjithë shoferët do të pajisen së shpejti me leje të re të qarkullimit të automjeteve. Këtë e ka konfirmuar kreu i Drejtorisë së Patentave (DPSHTRR), Blendi Gonxhe.
Me anë të një postimi në rrjete sociale, ai rendit avantazhet që do të ketë leja e re për qytetarët duke filluar nga ulja e çmimit deri tek eleminimi i disa dokumenteve shtesë si certifikata e pronësisë apo leja ndërkombëtare e mjetit.
Gonxhe shkruan se leja e re do të kushtojë 2100 lekë, ndërkohë që ajo aktualja është 3400. Gjithashtu, leja e re e qarkullimit të automjeteve unifikon dy dokumentet e lartpërmendura.
“Leja e re, falë cilësisë, sigurisë dhe përputhshmërisë me Direktivën 1999/37/EC e 29 Prillit 1999 (e përditësuar, 2014), eliminon nevojën për Leje Ndërkombëtare Mjeti! Qytetari lehtësohet nga kosto e angari që përsëritej çdo tre vjet” – shkruan ndër të tjera Gonxhe.
Kreu i DPSHTRR thotë gjithashtu se dokumenti i ri zvogëlon në maksimum mundësinë e manipulimit të të dhënave duke garantuar besueshmëri në qarkullim për çdo verifikim nga autoritetet.
Postimi i Blendi Gonxhes:
Së shpejti! Leja e re e Qarkullimit të Mjetit Rrugor! AVANTAZHET direkte për qytetarët:
– Sot paguhet 3,500 lekë për lejen aktuale, certifikatën e pronësisë dhe lejen ndërkombëtare të mjetit! Leja e re që unifikon dokumentat e mjetit në 1 do kushtojë vetëm 2,100 lekë, -40%!
– Leja e re nuk do ketë vula kolaudimi, pra nuk do bëhet e pavlefshme nga mungesa e vendit për vula si leja aktuale!
– Leja e re nuk ka afat vlefshmërie!
– Leja e re përfshin të dhëna sipas kodeve të BE, datë regjistrimi për herë të parë, vit prodhimi, qiramarrës, etj!
– Leja e re unifikon të dhënat dhe eliminon Certifikatën e Pronësisë së Mjetit!
– Leja e re nuk dëmtohet nga lagështia ose palosjet, nuk griset si leja aktuale!
– Leja e re përmban elementet e sigurisë si: ëatermark – logo identifikuese në brumin e letrës speciale që dallohet vetëm nëse shikohet përmes dritës; fluorescent fibres – fije fluoreshente që dallohen vetëm me rreze ultraviolet; fluorescent imprints – logo identifikuese e dallueshme vetëm me rreze ultraviolet; hologramë – stampë e shndërritshme e integruar në materialin e letrës nga prodhuesi me dizajn të personalizuar!
– Leja e re do ketë edhe QR code drejtpërdrejt nga sistemi eDPSHTRR, mikrotekst, vizatim e grafika që ndryshojnë ngjyrën në këndvështrime të ndryshme drite, etj!
– Personalizimi me puntim!
– Cilësia dhe vetitë e letrës së lejes së re do të jenë speciale, e njëjtë me dokumentet e qarkullimit gjermane! Zvogëlohet në maksimum mundësia e manipulimit të të dhënave, për pasojë garantohet besueshmëria në qarkullim për çdo verifikim nga autoritetet brenda/jashtë vendit!
– Leja e re do jetë më e vogël, me tre pjesë, më praktike e rezistente, si edhe me çdo të dhënë të mjetit, të kodifikuar!
– Leja e re, falë cilësisë, sigurisë dhe përputhshmërisë me Direktivën 1999/37/EC e 29 Prillit 1999 (e përditësuar, 2014), eliminon nevojën për Leje Ndërkombëtare Mjeti! Qytetari lehtësohet nga kosto e angari që përsëritej çdo tre vjet!
SQARIM:
– Leja e re do të jepet për veprimet e reja me mjetin! Leja e re NUK do të jetë e detyrueshme për qytetarët që kanë lejen aktuale të mjetit!