Politologu Blendi Kajsiu e ka konsideruar si të pa sinqertë lëvizjen e Sali Berishës brenda PD-së, pasi sipas tij ajo nuk ka për qëllim krijimin e demokracisë, por rrëzimin e Lulzim Bashës.
Kajsiu thotë se Berisha duhet të tregojë synimet e vërteta të nismës së tij në PD, ndërsa vë në dukje se ai nuk ofron një lidership më demokratik brenda selisë blu.
“Vendimi i Bashës është absolutisht i duhuri, jo vetëm pse e kërkojnë SHBA-të, por është në koherencë me standardin që opozita ka vënë. Që është personat “non grata”, pavarësisht arsyeve, vetë opozita e ka kërkuar këtë standard. Këtë konflikt e ka krijuar vetë Berisha duke mos u larguar nga grupi. Vendimi është marrë dhe justifikuar në mënyrë të gabuar nga Basha. Vendimi duhet të ketë një vule kolegjiale jo vetëm të kryetarit dhe ky diskutim do ishte i vdekur. Lëvizja e z. Berisha është jo e sinqertë. Nuk mund të kërkosh rrëzimin e kryetarit për një shkelje statutore. Ti minimalisht duhet ta çosh këtë vendim të Komisioni të Apelimit dhe Ankesave, që nuk ekziston.
Ajo që ka kërkuar Berisha ka qenë koka e Bashës, çfarë tregon se debati është për ta kontrolluar PD-në dhe për ta çuar në rrugë pa krye. Për mua idealja do ishte largimi i të dyve. U rizgjodh Basha në mënyrë të përshpejtuar, jo transparente. Ai debat që nuk u bë në qershor, tani Berisha e ka filluar. Debati është pozitiv, pavarësisht se Berisha nuk është i sinqertë. Që Basha të fitojë duhet të përballet. Është mirë që kjo lëvizje të bëhet më e ndershme. Të tregojë cili është plani, çfarë synon Berisha. Ja e rrëzuan Bashën, çfarë do kërkojnë. Berisha nuk më duket se ofron as si eksperiencë as si lidership, një lidership më demokratik brenda PD-së. Le ti thotë PD-së ku do ta çojë. Nëse e rrëzon z.Basha, Berisha bëhet de facto bëhet kryetar i PD-së”, tha Kajsiu në emisionin “Opinion” në “Tv Klan”.