Gazetari i medias prestigjioze gjermane “Bild”, Peter Tiede në një intervistë me “Skype” me emisionin “A show” në News 24 foli për shkrimin e tij të publikuar disa ditë më parë, ku tregonte se pse “Shqipëria udhëhiqet nga gansterët”.
Ai komentoi edhe deklaratën e kryeministrit Edi Rama, i cili ka theksuar se gazeta gjermane është e stilit “bulevardeske”, që nuk thellohet në çështje, por gazetari shtoi se artikulli është i saktë dhe sipas tij, Rama më parë duhet të tregojë se pse nuk funksionojnë disa institucione në Shqipëri dhe jo të merret me median gjermane.
Ai tregoi se gjatë një vizite në Shqipëri ka parë me sytë e tij laborator heroine në vitin 2016, por pa treguar vendin se ku. Gazetari theksoi se ai po punon për një material, i cili do të flasë mbi mafien shqiptare.
Ai ka të drejtë se ne jemi një media bulevardekse, por artikujt tonë janë të shkurtër sepse ky është stili i kësaj mediaje. Këto janë gazeta që citohen dhe iu referohen më shumë në Gjermani dhe në të gjithë botën. Sigurisht se zoti Rama duhet të përballet me argumentet se pse nuk funksionojnë Gjykata Kushtetuese dhe disa istitucione të tjera dhe a është e lirë media në Shqipëri.
Këto duhet t’i shpjegojë Rama. Unë kam parë edhe laborator heroinë në verën e vitit 2016, sepse kam qenë dhe kam udhëtuar në Shqipëri. Thuhet se 70 për qind e kanabisit që shitet në vendet perëndimore se vjen nga vendi juaj. Në Durrës vjen kokainë nga Kolumbia. Janë gjetur në vendin tonë kontejnerë që përmbanin kokainë që e kishin porositur kriminelët. Po bëjmë një material dhe po hetojmë mbi mafien shqiptare”-tha gazetari.
Gazetari gjerman Peter Tiede në një intervistë me “Skype” për gazetarin Adi Krasta në “A show” u pyet se e kishte takuar personalisht zotin Manjani, duke qenë se ish-ministri i Drejtësisë citohet në artikullin e shkruar nga ai në median gjermane “Bild”.
Tiede tha se e ka takuar z.Manjani, por se përpos kësaj, ka “shëtitur” thuajse mbarë Shqipërinë për të shkruar një artikull.
“E kam takuar zotin Manjani por nuk ka qenë ai që ka zgjidhur gjithë problatmikën e përshkruar. Unë kam shëtitur thuajse gjithë Shqipërinë. Vetëm në fund e kam takuar z.Manjani, kemi biseduar për atë që ndodh në Shqipëri, sepse ai ka qenë në qeveri. Pretendimi se mund të kem marrë para është qesharake. Unë kam punuar për gazeta dhe revista të njohura, jam gazetar i njohur në Gjermani. Kam dëgjuar që ka gazetarë që marrin para për artikuj, por jo në rastin tim”, deklaroi gazetari gjerman Tiede.
Tiede, në një intervistë për gazetarin Adi Krasta në emisionin “A show”, u pyet nëse ka marrë kërcënime për shkrimin. Ai dha përgjigjen e tij.
Adi Krasta: Qeveria shqiptare duket e shqetësuar nga artikulli juaj, a jeni kërcënuar?
Peter Tiede: Nuk është profesioni im që të merrem me politikanët. Unë kam shkruar shumë për vendet e Lindjes. Sigurisht që politikanët nuk janë të kënaqur, kur unë jam kritik. Por ka nga ata politikanë që kanë media në Shqipëri dhe thonë gjëra të tjera, Sa i takon lirisë së medias, Shqipëria ka probleme. Nuk mund të thonë dot që paguhem për artikuj.