“Tani e mora vesh” – tha kryeministri Edi Rama kur drejtuesi i emisionit “Zonë e lirë”, Arjan Çani i dha lajmin se SPAK kishte arrestuar ish-drejtorin e RTSH-së Thoma Gëllçi.
Rama nuk foli më gjatë për mikun e tij të vjetër. Vetë Gëllçi e ka pranuar edhe publikisht miqësinë me vëllezërit Olsi dhe Edi Rama.
“Kjo me birra është një foto shumë e vjetër. Kam qenë edhe shumë i shëndoshë në atë kohë. Jam unë, ime shoqe dhe Olsi Rama me të shoqen e tij, por nuk duket aty se e ka zënë Olsi.
Kjo foto u keqpërdor dhe u tha se unë kisha lidhje me Olsin dhe ndaj u bëra drejtor. Olsin e kam njohur në SHBA, por prej Edit.
Njohje kisha me Edin, që kur punoja te “Zëri i Popullit”. Ai më shante shpesh atje nëpër refleksione kundër gazetës.
Ndërsa me Olsin jemi aty pasi ai bëri një operacion të dytë në zemër dhe që i doli me sukses. Ato birrat i morëm sa për foto se ai nuk mund të pinte”, – tha Gëllçi kur ishte ende në krye të RTSH në një intervistë për Tv Scan.
Shkak për arrestimin e Gëllçit u bë një tender korruptiv në Radio Televizionin Shqiptar i nënshkruar në nëntor të 2018-s.
Në pranga përveç ish-drejtorit të RTSH-së janë vënë edhe 3 zyrtarë të këtij televizioni.
Bëhet fjalë për tenderin për blerjen e pajisjeve për kanalin RTSH Agro me vlerë 86. 908 550, 00 lekë (pa tvsh).
Në pranga kanë rënë edhe 3 anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, konkretisht Julian Tapia, Alban Malaveci dhe Ervin Muraj, të cilët akuzohen për veprën penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
Gëllçi akuzohet se ka kryer shkelje ligjore në këtë procedurë prokurimi.