Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ka ndërhyrë në udhëzimin e saj “Mbi procedurën e përpunimit të deklaratës doganore në sistemin Asycuda World” duke prekur të paktën dy pika të saj dhe që tashmë kanë hyrë në fuqi. Referuar duëhzimit të ri që mban firmën e drejtorit Arlind Gjokutaj ndryshimet janë bërë në pikën 31 dhe 32.
Ndryshimi i parë lidhet me mënyrën sesi do të procedohet nga përgjegjësi i turnit për lëshimin e deklaratës dhe vulosjen elektronike të saj.
“Përgjegjësi i zyrës/ turnit kryen veprimin ‘print release order” në sistemin asycuda world’ i cili presupozon dhe vulosjen e deklaratës doganore me nënshkrimin elektronik. Pas plotësimit të urdhër çlirimit nga ana e sistemit dërgohet email duke njoftuar se duhet të printohet deklarata doganore në format PDF. Deklarata doganore do të jetë e vulosur me vulë elektronike sipas formatit/modelit të miratuar me shkresën e DPD-së nr 10795 datë 30.04.2019” thuhet në udhëzimin e ri.
Në pikën tjetër të ndryshuar duket se kemi sërish një përputhje me kuadrin e miratuar më herët në muajin prill. Pika 32 e ndryshuar sanksionon se mallrat mund të dalin nga zyra doganore vetëm me printimin e deklaratës nga formati Pdf.
“Dalja e mallrave nga zyra doganore kushtëzohet me printimin e deklaratës doganore në formatin PDF me vulë elektronike sipas formatit/modelit të miratuar me shkresën e DPD datë 30.04.2019” thuhet në pikën 32 të udhëzimit.
Deklarimi i mallrave mund të bëhet nga kompanitë përmes Sistemit Asycuda World dhe deklaruesit duhet të pajisen me autorizim nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave. Kompanitë caktojnë personat ose agjentët doganore që do të deklarojnë në Sistemin Asycuda World – autorizimin dhe deklarimin e thjeshtuar. Për këta persona ose agjentë doganore dorëzohet një kërkesë në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave për t’u autorizuar për këto lloj deklarimesh.