Reali i Madridit më në fund ka mbyllur një sezon të dështuar dhe mendja është te merkatoja, për të ndërtuar një ekip të denjë të luftojë sidomos për titullin në Spanjë, pasi në Champions League bilanci është i jashtëzakonshëm.
E përditshmja spanjolle AS ka hapur një sondazh këtë javë, duke pyetur tifozët: “Kush duhet të largohet dhe kush duhet të qëndrojë?”.
Çdo lexues mund të votonte për 25 lojtarë dhe në total janë dhënë rreth 5 milionë vota, deri mesditën e së martës. Në bazë të sondazhit, kanë rënë në sy 8 emra që duhen larguar nga reali.
Ata janë: Luca Zidane, Vallejo, Marcelo, Kroos, Isco, Ceballos, Mariano dhe Bale.
Bale është futbollisti më pak i dashur, vetëm 9% e votuesve duan që të qëndrojë në Madrid (a u habitët?). Mariano kushtoi një thes me para verën e shkuar dhe nuk ka treguar asgjë, ndërsa Luca Zidane është fajtor thjesht se është i biri i trajnerit.
Ka edhe lojtarë të tjerë që janë në fije të perit në votim, si Casemiro, Asensio, Marcos Llorente, Valverde apo Lucas Vázquez.
Nga ana tjetër, bie në sy fakti se tifozët duan shumë lojtarë që duken të larguar, si Keylor Navas (76% e votuesve dun që të qëndrojë), apo Reguilon (81% pro, edhe pse reali kërkon Ferland Mendy nga Lyon).
Lojtari më i pëlqyer nga tifozët është Carvajal (92%), i cili ka marrë më shumë vota se Sergio Ramos (84%). Tifozët kanë besim edhe tek të rinjtë Brahim (83%) e Vinicius (89%).
Reali është i detyruar të bëjë spastrim këtë verë, sepse do të kthehen nga huazimi Odegaard, Raúl de Tomás, Theo e Lunin, si dhe janë blerë Rodrygo e Militao. Pritet zyrtarizimi për sulmuesin serb Jovic, ndërsa me shumë gjasa Reali do të blejë edhe Eden Hazard e Ferland Mendy. telesport