Media angleze Daily Mail i kushtoi përpara disa ditësh një artikull të gjatë Selamet Mehmetaj, një 28-vjeçari shqiptar nga Tropoja, për të cilin thuhej se kishte marrë nën kontroll trafikun e kanabisit në Mbretërinë e Bashkuar. Daily Mail shkroi se Mehmetaj ra pre e një investigimi, ku një gazetar e ka kontaktuar përmes faqes në Intstagram “Albaninan Blood”, për t’u bërë një nga klientët e tij të shumtë të blerjes me shumicë të kanabisit.
Gjatë takimit me gazetaren Mehmetaj ka rrëfyer me vullnet të lirë biznesin e tij të drogës dhe dhunën që ai ushtronte ndaj klientëve që nuk ishin të rregullt me pagesat.
Në një intervistë për OraNews, Mehmetaj rrëfen versionin e tij të së vërtetës, ku ai e cilëson të gjithën një lojë të bërë prej tij, ku qëllimi ishte të fuste në kurth gazetarin që po e filmonte dhe po i cënonte privatësinë.“Nuk ka të bëj asnjë gjë me drogën e ç’a flitet nga Daily Mail. Ishte thjesht një shaka mes shokëve, s’është asnjë gjë tjetër. Të vërtetën do iu sqaroj tashi. Nuk ka të bëjë fare me baron droge, a ku di unë me ç’a flitet. Nuk ka të bëjë as me drogë, as me asnjë gjë. Ka qenë thjesht një kamer, e kam kuptu që po më filmonte dhe i kam thënë një histori që donte të dëgjonte ai.
Kur u takova me atë personin, ai ishte gazater, vura re që kishte një triko me pulla dhe e pashë që kishte kamerën e fshehur aty dhe kur u ktheva nga krahu i majtë, pashë dhe një person tjetër që po më filmonte. Unë thjesht nuk ia vura re, i dhashë atë që ai donte të merrte nga unë. I thashë një super shaka të paparë, që asnjë nga ato nuk janë të vërteta. Thjesht desha ta shtyja atë, se e dija se çfarë do bënte ai me atë, se e pashë kamerën. Thjesht vazhdova duke i shpjeguar gjërat që nuk janë aspak të verteta, por më erdhi inat, se nuk është mirë kur dikush të filmon dhe ndërhyn në privatësinë personale”, tha Mehmetaj.
I riu nga Tropoja mohon të ketë dhunuar njeri në jetën e tij. Rrëfimin e bërë përpara gazetarit se i ka prerë gishtat një klienti që nuk i pagoi lekët e drogës, ai e quan një sajesë të bërë në moment dhe të frymëzuar nga filmi Sharra. Sipas tij qëllimi, i mashtrimit ishte të fuste në kurth gazetarin, i cili besonte çdo gjë.
“Ajo absolutisht nuk është e vërtetë. Nuk i kam prerë gshtat asnjonit, nuk kam rraf asnjonin dhe unë nuk kam goditur asnjonin. Unë thjesht atë histori e kam sajuar për t’i bërë qejfin atij, pasi e kuptova që po më filmonte. Thjesht ta lëja të kuptonte se i nxorra një gjë këtij dali, se ai këtë gjë donte të kapte një shkak dhe ta raportonte te Daily Mail, për t’ia shkatërruar jetën një personi që nuk ka lidhje me drogën. Desha thjesht t’ja bëj një histori meqë po më filmonte.
Unë jam kundër dhunës dhe nuk i çmoj kur i dëgjoj këto gjera. Siç e thashë, thjesht kisha inat dhe desha me ja thonë atij djali ato gjëra se ai besonte çdo gjë. Edhe t’i thoshe që fluturonte gomari ai do ta besonte. I kam dhënë ca detaje të cilat janë pjesë e një filmi që më erdhën në kokë në atë moment. Filmi që unë po flas në atë video është “Sharra”. Normal u bë e madhe, por në atë moment thjesht e ndjeva të tallesha me atë djalë që po cënonte privatësinë time. Tashmë nuk kam asnjë problem nga policia, s’ka asnjë çështje kundër meje”, shtoi Mehmetaj.
Mehmetaj theksoi e ai nuk ka lidhje me trafikun e drogës dhe se të ardhurat për të mbajtur familjen i zotëron përmes një kompanie ndërtimi në emër të tij. Makinë e tij prej 50 mijë euro ai deklaron se e ka blerë me kredi.
“Unë jam hidraulik, kam kompaninë time. Ndërtoj shtëpi, por më shumë merrem me punë hidraulike. Ndërtoj shumë shtëpi, i prish dhe i rregulloj, i bëj të reja. Kjo ka qënë dhe ëndrra ime, kam dash të bëhem inxhinier gazi. Kam hapur dhe një kompani, të cilën e drejtoj vetë dhe atje punoj çdo ditë, me atë i nxjerr të ardhurat dhe mbaj familjen.
Është e vërtetë. Kam thënë që e kam, nuk po e mohoj, e kam sepse kam punuar shumë për atë makinë. Nuk është e njëjta vlerë sikur e blen të re, pas disa vitesh i ka rënë vlera. Unë nuk kam mundur ta blej të gjithë makinën direkt, se ku t`i marr 50 mijë paundë se janë shumë. Por si çdo shqiptar normal edhe unë kam marrë kredi ta blej atë makinë. Kam ende 20 mije kredi pa paguar”, përfundoi 28-vjeçari.