Kampionati Botëror, Katar 2022 do të diskutohet mes 32 skuadrave. Është ky vendimi më i fundit i Institucionit më të lartë të futbollit botëror, FIFA, e cila ka pohuar se as edicioni i radhës i Kupës së Botës nuk do të pësojë ndryshime.
Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino e kishte ndërmend ta rriste numrin e kombëtarëve për 16, por që nuk do të ndodh.
Sipas zviceranit, FIFA është detyruar të pranojë se për shkak të kohës së kufizuar, zgjerimi i garës në një kohë kaq të shkurtër do të ishte shumë e vështirë. Kjo pasi turneu i vitit 2022 do të mbahet vetëm në Katar, vendin ku ishte parashikuar edhe më parë. Nëse do të kishte ndryshime, pra që kompeticioni të zhvillohej me 48 skuadra, zhvillimi i takimeve do të ishte shtrirë edhe në vende të tjera të Lindjes së Mesme.
Megjithatë, siç është vendosur më parë, numri i ekipeve do të rritet në 48 duke filluar nga viti 2026.