Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha foli pas takimit të zhvilluar sot me senatorë dhe kongresmenë të lartë amerikanë, duke theksuar se ata shprehën interes të veçantë për vetingun e politikanëve.
“Përfaqësuesit e lartë të Kongresit amerikan, me një delegacion të kryesuar nga senatorja republikane Ernst dhe me praninë e dy anëtarvëe të kongresit amerikan po kështu të PR dhe një zonjë të kongresit amerikan, të PD-së amerikane, së bashku me zyrtarë të lartë të sigurisë kombëtare vizituan PD-në dhe na dhanë mundësinë për të shkëmbyer mendime mbi gjendjen politike në Shqipëri, në rajon dhe mbi perspektivën e bashkëpunimit strategjik midis Shqipërisë dhe SHBA-ve.
Në prioritetin e parë për Shqipërinë natyrisht rendita domosdoshmërinë e rikthimit të vendit në shinat demokratike të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme dhe rolin e veçantë që ka për këtë qëllim lufta kundër korrupsionit, lufta kundër krimit të organizuar dhe bashkëpunimit midis politikës dhe krimit të organizuar, ku shfaqën një interes të veçantë për iniciativat tona politike, siç është ai i vettingut të politikanëve dhe natyrisht siç është interesi më madhor i PD-së dhe i shqiptarëve, zgjedhjet e lira dhe të ndershme.
Folëm po kështu për rëndësinë që ka jo vetëm për sigurinë për paqen e stabilitetin, po kështu dhe për demokracinë lufta kundër korrupsionit, por edhe për faktin që i gjithë rajoni sot po përjeton një nevojë të ngutshme për të rikthyer shoqëritë e Ballkanit Perëndimor në shinat e legjitimitetit demokratik sepse kjo situatë që po kërcënon paqen dhe stabilitetin në Ballkanin Perëndimor është produkt i drejtpërdrejtë i autokratëve të Ballkanit të cilët për hir të pushtetit të tyre kanë shkatërruar bazat e bashkëjetesës demokratike siç janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme, duke cituar në veçanti shkatërrimin e zgjedhjeve të 25 prillit dhe raportin e ODIHR dhe duke treguar vendosmërinë tonë për të mos iu ndarë asnjë çast kauzës së shqiptarëve për të pasur politikanë të pastër”, tha kryedemokrati.
I pyetur “nëse kanë kërkuar shpjegime për Berishën që u shpall i korruptuar nga DASH?”, Basha u përgjigj: “Prania kaq e lartë e anëtarëve të Kongresit dhe Senatit me shumicë dërrmuese republikane, ishte një mundësi e jashtëzakonshme për të folur për prioritet tona, prioriteti ynë absolut është ndarja nga e shkuara, dhe korrupsioni endemik që ka shkatërruar jetët e shqiptarëve, dhe që po e zbraz vendin nga njerëzit e aftë që po mësyjnë drejt emigracionit. Detyra ime si kryetar i PD ishte që aspiratat e demokratëve për ti prirë një ndryshimi themelor të politikës dhe përmes politikës të Shqipërisë ishte tu jepja zë prioriteteve atyre që shpreva më parë. PD dhe unë nuk mund të bëhemi avokat të askujt, por ne jemi dhe do të mbetemi avokatë për hallet dhe problemet e shqiptarëve. Jam siguruar nga senatorët dhe anëtarët e Kongresit se do kemi mbështetje të plotë të Kongresit dhe Senatit amerikan, në manyrë bipartizane, si nga demokratët ashtu edhe partia jonë simotër republikane”.