Dy deputetë të rinj janë betuar sot në Kuvend. Komisioni i Rregulloreve dhe mandateve ka verifikuar mandatet e dhëna nga KQZ për Ervis Meço dhe Artemis Dralo Malo.
Ish-zv/ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Artemis Dralo Malo mori mandatin pasi Flamur Golemi dorëzoi mandatin e deputetit pasi kandidon për kryebashkiak në Bashkinë Gjirokastër.
Artemis Dralo Malo bëhet deputetja e re e PS në qarkun Gjirokastër.
Ndërsa Ervis Meço mori mandatin nga KQZ pasi ishte pjesë e listës shumë emërore e Partisë Demokratike në qarkun Vlorë, pas dorëzimit të mandateve nga deputetët e PD. Ai vjen në Parlament si deputet që përfaqëson komunitetin Egjiptian. Meço është ka qenë kandidat i Partisë për Europianizim dhe Integrim, me kryetar Rivelino Çuno.
Kjo forcë ishte aleate për PD-në dhe kandidatët e saj garuan me siglën e PD-së në zgjedhjet e 2017. Meço në formularin e tij të dekriminalizimit sqaronte se ishte dënuar në Gjermani me 30 ditë burg. Ai shkruante se vepra penale e tij është konvertuar në gjobë, të cilën e ka paguar.
Meço akuzohet se ka përgjuar/regjistruar në mënyrë të paligjshme një zyrtar gjerman dhe për këtë vepër penale ai është dënuar me burgim. Ai shkruante në formular se për katër muaj ka qendërzuar në Gjermani si azilant politik, por nuk e ka përfituar statusin. Meço ka shkuar në Gjermani për azil pas zgjedhjeve të 2017.
Pas betimit të deputetëve në seancën e sotme plenare, numri i deputetëve në Kuvend shkon në 122.